presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti udhëheqësit e partive politike parlamentare

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim udhëheqësit e partive politike parlamentare: kryetarin e PDK-së, zotëri Hashim Thaci, kryetarin e LDK-së, zotëri Isa Mustafa, kryetarin e AAK-së, zotëri Ramush Haradinaj dhe zëvendëspresidenten e AKR-së, zonjën Mimoza Kusari Lila.

Në takimin e iniciuar nga udhëheqësit e partive politike parlamentare, Presidentja Jahjaga u informua nga ta për gjendjen në Kuvendin e Kosovës, për pamundësinë e vazhdimit të marrjes së vendimeve të rëndësishme për proceset e vendit, përfshirë pamundësinë e votimit për Forcën e Armatosur të Kosovës, dhe nevojën e shpërndarjes së Kuvendit me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në vend. Udhëheqësit e partive politike parlamentare të pranishëm në takim theksuan domosdonë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në një afat optimal me qëllim të nxjerrjes së vendit nga bllokada politike.Presidentja Jahjaga theksoi se do të jetë garantuese e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe një faktor i unitetit politik në vend. Pas takimit Presidentja Jahjaga dha një deklaratë për gazetarë, të cilën po e japim të plotë: “Sot prita në takim liderët politikë të Kosovës, me kërkesën e tyre. Më informuan për hapat që do t’i ndërmarrin në vijim për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Si Presidente e Republikës së Kosovës unë do të vazhdoj të jem faktor i unitetit politik në vend dhe të gjitha veprimet e mia do të jenë konform Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”.  E pyetur se kur do të mbahen zgjedhjet, Presidentja Jahjaga u përgjigj: Do ta respektoj vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili është edhe hapi i parë që më obligon mua si Presidente e vendit që të filloj konsultimet me partitë politike, ashtu si e parasheh Kushtetuta e vendit. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.