Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneralmajorin Jeronim Bazo, me të cilin diskutuan për zhvillimet e përgjithshme në rajon dhe bashkëpunimin mes dy shteteve tona në fushën e sigurisë.
Presidentja Jahjaga e njoftoi z. Bazo me vendimin për themelimin dhe ndërtimin e Forcave të Armatosur të Kosovës brenda një periudhe dhjetëvjeçare, si propozim i dalë nga një proces ndërinstitucional i rishikimit të sektorit të sigurisë, i cili ka bërë një analizë të thellë të kapaciteteve dhe nevojave tona si shtet sovran dhe i pavarur, me vizion të qartë të integrimit në NATO.Presidentja Jahjaga theksoi se marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë janë shembull për të gjitha shtetet e rajonit, të cilat duhet të vazhdojnë të jenë të përqendruara në thellimin e reformave të kërkuara dhe në përforcimin e perspektivës së anëtarësimit në Bashkim Evropian.