DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti sekretarin e përgjithshëm të OBI-së, Ekmeleddin Ihsanoglu

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), z. Ekmeleddin Ihsanoglu, i cili po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare. Në këtë takim Presidentja Jahjaga e nderoi z.Ihsanoglu me medaljen “Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e dhënë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga vlerësoi lart punën e z. Ihsanoglu për afirmimin e shtetit të Kosovës, me përfshirjen në Rezolutën e OBI-së të kërkesës për njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të kësaj organizate dhe nxitjen e mbështetjes për zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është shtet qytetar ku të drejtat e të gjithë qytetarëve janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Ajo theksoi se Kosova është vend promotor i fqinjësisë së mirë dhe i paqes e stabilitetit në rajon dhe është e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Presidentja Jahjaga me z. Ihsanoglu biseduan rreth dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve. Presidentja Jahjaga vlerësoi se kjo marrëveshje do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit dhe do të ndihmojë integrimin e komunitetit serb, që jeton në pjesën veriore të territorit të Kosovës, në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Z. Ihsanoglu vlerësoi progresin që Kosova ka bërë që nga shpallja e pavarësisë dhe theksoi se Organizata e Bashkëpunimit Islamik do të vazhdojë ta mbështes atë në konsolidimin ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik. Ai vlerësoi pozitivisht marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.