Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot presidenten së Republikës së Maltës, Shkëlqesinë e Saj, zonjën Marie Louise Coleiro Preca, e cila po qëndron për vizitë zyrtare shtetërore në vendin tonë, me ftesë të Presidentes Jahjaga.
Ajo u prit me ceremoni zyrtare në sheshin “Ibrahim Rugova”, ku të dy presidentet parakaluan para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.Më pas, Presidentja Atifete Jahjaga dhe Presidentja Marie Louise Coleiro Preca zhvilluan një takim të veçantë, pastaj vazhduan takimin me pjesëmarrje edhe të anëtarëve të ekipeve të tyre.Në takim u diskutua për marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maltës, intensifikimin e tyre në fusha të interesit të përbashkët, në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve, si dhe për përkrahjen që Malta mund t’i japë Kosovës në proceset e integrimit në BE dhe në organizatat ndërkombëtare.Në takim morën pjesë edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi.Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Presidentja Preca mbajtën një konferencë për media.Duke folur në konferencë, Presidentja Jahjaga tha:Kam nderin që sot mirëpres në vizitë presidenten e Republikës së Maltës, zonjën Marie Louise Coleiro Preca, miken e madhe të vendit tonë dhe përkrahësen e proceseve dhe të konsolidimit demokratik.Presidente Marie Louise, mirë se erdhët në Kosovë, në këtë vizitë të parë tuajën në vendin tim. Shpreh mirënjohjen time dhe të popullit tim për Republikën e Maltës që pak muaj pas shpalljes së pavarësisë e ka njohur shtetësinë e Kosovës. Ky hap ka hapur rrugën e zhvillimit të marrëdhënieve të gjithmbarshme ndërmjet dy vendeve tona.Me Presidenten e Maltës biseduam për një varg çështjesh të interesit të përbashkët për të dyja vendet tona dhe në veçanti për thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve në fushën e ekonomisë dhe të investimeve.Kosova ka potenciale dhe resurse të mëdha dhe Republika e Maltës, si një vend anëtar i Bashkimit Evropian, mund të bëhet një partner i rëndësishëm dhe strategjik i saj dhe kjo do të ndihmonte të dyja vendet në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe në zhvillimin e përgjithshëm.Republika e Kosovës sot është një demokraci në zhvillim, faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes në rajon, me rrugën e qartë për t’u bërë anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht edhe të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare. Kosova sot është një partner i rëndësishëm dhe strategjik i botës demokratike në arkitekturën globale të sigurisë dhe në luftën e pakompromis ndaj cilitdo ekstremizëm. Konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës është hap i rëndësishëm i stabilitetit, jo vetëm në rajon, por njëkohësisht edhe i forcimit të paqes dhe i ruajtjes së perspektivës evropiane për secilin vend të rajonit të Ballkanit.Marrëdhënia kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit i ka hapur perspektivën evropiane Kosovës dhe kjo do të ndihmojë në thellimin e reformave të domosdoshme të cilat çojnë në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe që ruan diversitetin kulturor e fetar si pasurinë e saj dhe gjithëpërfshirjen.Rruga evropiane është rruga e pashmangshme e gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit, që duhet të mësohen me realitetin e ri të krijuar, duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore, që çon drejt një pajtimi të madh në Ballkan.Kosova është një vend i vogël, por me shumë potencial, edhe natyror edhe njerëzor, dhe Republika e Maltës mund të ndihmojë në proceset e zhvillimit tonë dhe në rrugën tonë evropiane.Presidente Marie Louise, e vlerësoj lart pranimin e ftesës time për ta vizituar Kosovën dhe njëkohësisht ju uroj edhe njëherë mirëseardhje në Republikën e Kosovës.