presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti përfaqësuesin e posaçëm të BE në Kosovë, Samuel Zhbogar

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, zotëri Samuel Zhbogar, me të cilin bisedoi për përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale, konsolidimin e institucioneve të zgjedhura, për negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe reformën zgjedhore në përgatitje të zgjedhjeve parlamentare në vend dhe ecurinë e dialogut me Republikën e Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Presidentja Jahjaga shprehu vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha kërkesat që dalin nga negociatat për MSA deri në pranverë, dhe njëkohësisht përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kritereve për të mundësuar sa më shpejt liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që do t’u mundësojë lëvizjen e lirë në shtetet evropiane. Presidentja Jahjaga theksoi se agjenda evropiane është agjendë që bashkon të gjitha komunitetet në Kosovë dhe se i gjithë spektri politik i Kosovës ka qëndrim unik për përfundimin e reformave që do të hapin rrugën e integrimit të Kosovës në BE.Ndërkaq, për zgjedhjet e sërishme në Mitrovicën e Veriut, që do të mbahen me 23 shkurt, Presidentja Jahjaga theksoi nevojën që këto zgjedhje të jenë të lira dhe demokratike dhe të reflektojnë vullnetin e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre legalë dhe legjitimë, në përputhje me ligjet e Kosovës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.