DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti një delegacion nga Unioni i Romëve të Ballkanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion nga Unioni i Romëve të Ballkanit – BAROM me përfaqësues të romëve nga Turqia, Maqedonia dhe nga Kosova, i cili udhëhiqej nga kryetari i këtij Unioni, Nexhdet Mustafa, njëherësh ministër pa portofol në Qeverinë e Maqedonisë.

Presidentja Jahjaga me delegacionin nga BAROM-i bisedoi për të drejtat, liritë dhe kushtet në të cilat jetojnë dhe veprojnë qytetarët romë të Kosovës. Me këtë rast Presidentja Jahjaga theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ju garanton të gjithë qytetarëve, të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, të drejta dhe liri të barabarta. Ajo tha se institucionet  e Kosovës janë të përkushtuara ta mbrojnë identitetin etnik, kulturor dhe fetar të të gjitha komuniteteve.   Presidentja Jahjaga e përgëzoi z. Mustafa për nismën dhe i dëshiroi  suksese në realizimin e misionit të Unionit të Romëve të Ballkanit. Ajo shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për përmirësimin e vazhdueshëm dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kryetari i Unionit të Romëve të Ballkanit, Nexhdet Mustafa, tha se mision i  tyre është përmirësimi i kushteve të jetës dhe të punës, si dhe integrimi i romëve në shoqëritë dhe në institucionet në të gjitha vendet e Ballkanit. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.