Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e shtetit për Punë të Jashtme të Republikës Islamike të Pakistanit, zotëri Nawabzada Malik Amad Khan.
Ministri Khan i dorëzoi Presidentes Jahjaga notën verbale të njohjes së Kosovës nga Republika Islamike e Pakistanit, të nënshkruar nga Presidenti Asif Al Zardari. Ministri i shtetit Khan theksoi se njohja është bërë në mbështetje të aspiratave të popullit të Kosovës për pavarësi. Ai tha se me këtë hap është vendosur gjithashtu edhe krijimi i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Islamike të Pakistanit. Presidentja e Republikës së Kosovës i shprehu falënderimet e institucioneve të popullit të Kosovës për njohjen nga Pakistani dhe e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit ndërkombëtar të vendit dhe zhvillimit demokratik të tij. Presidentja Jahjaga dhe ministri i shtetit i Republikës Islamike të Pakistanit, Amad Khan, theksuan se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve do të thellohet bashkëpunimi edhe në fusha të tjera, përfshirë ato politike, ekonomike, kulturore e të arsimit.