Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, jorezidente për Kosovë, Louise LaRocque, e cila i dorëzoi letrat kredenciale.
Presidentja Jahjaga e uroi ambasadoren Louise LaRocque për detyrën e re, duke i dëshiruar asaj sukses në punë. Ajo gjithashtu falënderoi Kanadanë për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për Republikën e Kosovës dhe theksoi se të dy vendet tona kanë marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat. Këto marrëdhënie, tha Presidentja Jahjaga, edhe me angazhimin e ambasadores LaRocque, do të njohin zgjerim të vazhdueshëm.