presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti ministrin e punëve të jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë, zotëri Ditmir Bushati, me të cilin bisedoi për zgjerimin e bashkëpunimit dhe perspektivën evropiane të të dyja vendeve si dhe të rajonit të Evropës Juglindore.

Presidentja Jahjaga dhe ministri Bushati theksuan rëndësinë e përmbylljes së kapitujve në procesin e integrimeve evropiane dhe të thellojnë bashkëpunimin rajonal si një prej kushteve të rëndësishme në rrugën e integrimeve. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se është e domosdoshme që Kosova të ruajë hapin e saj në proceset integruese dhe të shtojë angazhimin e saj në fusha të ndryshme, posaçërisht në energjetikë e infrastrukturë, që njëkohësisht janë edhe projekte rajonale.Presidentja Jahjaga theksoi se bashkëpunimi rajonal është i përcaktuar edhe nga dinamika e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përmes procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, dhe tha se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet edhe nga përmbushja e obligimeve dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit.Ministri i punëve i jashtme i Republikës së Shqipërisë, zotëri Ditmir Bushati theksoi se të gjitha vendet e rajonit, përfshirë dhe Kosovën, kanë perspektivë evropiane dhe ato duhet të thellojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre përmes projekteve të përbashkëta, që do të ndihmojë edhe zhvillimin e përgjithshëm të të gjithë rajonit. Ai tha se Shqipëria do të jetë përkrah Kosovës dhe do ta mbështes atë në çdo fushë dhe në proceset integruese.    

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.