presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti ministrin e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zajed Al-Nahjan

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ministrin e jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zajed Al – Nahjan, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës si dhe proceset e tjera demokratike të vendit.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi vizitën në Kosovë të ministrit të jashtëm, Sheikut Abdullah Bin Zajed Al – Nahjan, si mundësi të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme. Ajo tha se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur marrëdhënie të mira ndërmjet vete dhe kanë shkëmbyer vizita të rëndësishme të nivelit më të lartë, të cilat duhet të shërbejnë për vendosjen e bashkëpunimit konkret ndërmjet dy vendeve. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka shënuar përparime të dukshme dhe në veçanti ka arritur të shtojë numrin e njohjeve ndërkombëtare edhe nga bota myslimane duke konsoliduar shtetësinë e saj. Ajo tha se konsolidimi ndërkombëtar i vendit është përparësi kryesore dhe në këtë proces mund ta ndihmojnë Emiratet e Bashkuara Arabe, posaçërisht në rajonin e Lindjes së Mesme por edhe tek vendet e tjera anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova aspiron anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, posaçërisht në OKB, si një vend që ka stabilizuar demokracinë e brendshme, që po ndërton shoqëri gjithëpërfshirëse, si një shtet i pranuar ndërkombëtarisht dhe një promotor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Presidentja Jahjaga theksoi se vendi po kalon nëpër një proces të reformave të përgjithshme që do të mundësojnë edhe krijimin e një klime të mirë të biznesit dhe të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, si dhe do të tërhiqnin investimet e huaja. Ajo tha se ndihma e Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e zhvillimit ekonomik do të ndihmonte vendin. Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë vende që kanë interes të përbashkët që të adresojnë kërcënimet e ekstremizmit kudo dhe kurdo që të shfaqet. Ajo tha se kjo është një çështje që kërkon qasje të përbashkët. Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zajed Al – Nahjan, duke e falënderuar Presidenten Jahjaga për mikpritjen, e përgëzoi për të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat. Ai tha se EBA e kanë mbështetur Kosovën në periudha të ndryshme dhe do të vazhdojnë ta përkrahin atë edhe në proceset e tjera demokratike dhe në konsolidimin ndërkombëtar të saj. Ministri i jashtëm i EBA-së, Sheik Abdullah Bin Zajed Al – Nahjan, tha se është me rëndësi stabiliteti i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor po aq sa është i rëndësishëm edhe në aspektin ekonomik dhe të investimeve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.