DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sqarim i Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, shpreh indinjatën e thellë me të pavërtetat e qëllimshme, shtrembërimet e fakteve dhe përpjekjet për të denigruar figurën e Presidentes së Republikës së Kosovës, nga autorja e shkrimit “Një këshill sa për sy e faqe”, Vjosa Osmani – Sadriu të botuar në gazetën Tribuna.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e njofton znj. Osmani-Sadriu, e cila në mungesë të informacioneve dhe njoftimeve për punën e Këshillave e thotë të pavërtetën, se Këshillat Kombëtarë të krijuar me dekret të Presidentes kanë arritur që të krijojnë një konsensus gjithëpërfshirës, jo vetëm ndërmjet institucioneve, por edhe të shoqërisë civile e mekanizmave të tjerë në shoqëri.

Për hir të së vërtetës Zyra e Presidentes sqaron opinionin publik për punën, aktivitetin dhe rezultatet e secilit Këshill Kombëtar të krijuar me dekret të Presidentes, me sa vijon:

E para: Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, i krijuar më 7 Mars, është bërë pas një pune dhe angazhimi konkret të Presidentes së Republikës gjatë gjithë kohës së mandatit të saj, për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Këshilli është bërë pjesë e Protokollit Ndërkombëtar, të iniciuar nga sekretari i jashtëm britanik, William Hague dhe si i tillë po merr pjesë në trajtimin e këtij fenomeni dhe gjithsesi do të luaj një rol aktiv në zgjidhjen e një plage të rëndë të shoqërisë në Kosovë.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ia rikujton znj. Osmani se roli i Këshillit është përcaktuar me aktin themeltar të tij, si një trup koordinues nën udhëheqjen e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, Këshilli ka për qëllim bashkërendimin e punës dhe të aktiviteteve të institucioneve e agjencive, në kuadër të kompetencave dhe të fushëveprimit të tyre për të rehabilituar viktimat e kësaj dhune. Në aktin themeltar të tij thuhet se:

“Këshilli nxjerr raporte të rregullta për punën dhe aktivitetin e vet; koordinon aktivitetet për statusin dhe çështjet e tjera të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës; identifikon dhe koordinon aktivitetet në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës; përcakton prioritetet dhe politikat për zbatimin e agjendës legjislative në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës; koordinon punën dhe aktivitetet e institucioneve përgjegjëse në forcimin e mekanizmave ekzistues për përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës; dhe rrit vetëdijen e shoqërisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës”.

Gjithashtu i kujtojmë zonjës Osmani-Sadriu, se Presidentja e Republikës së  Kosovës, ka ngritur zërin e saj në mbrojtje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, posaçërisht në njohjen e statusit ligjor për të gjitha viktimat e kësaj dhune, edhe në kohën e debateve në Kuvendin e Kosovës. Veç të tjerash në njërën nga deklarimet e saj publike, Presidentja Jahjaga, ka theksuar:

“Ju bëj thirrje të gjithëve – deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, komisioneve parlamentare, mekanizmave qeveritarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit – të përqendrohemi bashkërisht në gjetjen dhe përcaktimin e formës më të përshtatshme për t’ua ofruar ndihmën tonë si institucione dhe si shoqëri viktimave të dhunës seksuale të luftës. Nuk ka përgjigje të lehta në pyetje të vështira. Por, kjo nuk është arsye që t’i shmangemi obligimit tonë si shoqëri dhe të përkujdesjes tonë për këtë kategori të viktimave. Nuk do të lejoj që gratë e dhunuara të viktimizohen sërish dhe të stigmatizohen më tej nga pakujdesitë tona, nga bindjet personale, mospajtimet politike apo hezitimi që këto ditë ka dominuar sferën tonë publike. Në këtë diskutim nuk ka ne dhe ato, jemi ne dhe jemi një”.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron se Këshilli Kombëtar për Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, nuk ka buxhet të tij dhe nuk ka shpenzime të vijave buxhetore. 

E dyta: Konsiderojmë si dezinformim të opinionit publik pohimin e znj. Osmani-Sadriu se raporti i progresit i KE-së përmban kritika për punën e Këshillave. Të gjitha dokumentet dhe raportet e progresit të Komisionit Evropian të viteve të fundit, konfirmojnë se Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian “ka vazhduar të ndjekë synimin e ndërtimit të konsensusit për integrim evropian,” që është shumë e rëndësishme për procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian. Kjo konfirmon rëndësinë që ka ky Këshill në procesin e integrimeve evropiane për vendin tonë.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ia rikujton znj. Osmani-Sadriu se me kërkesë të Presidentes Jahjaga, si kryesuese e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, është hartuar strategjia kombëtare për integrime evropiane, një proces njëvjeçar me pjesëmarrje të institucioneve, të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe komunitetit akademik e të biznesit e që është përkrahur plotësisht edhe nga komisionari për zgjerim i BE-së, zotëri Stefan Fule. Kjo strategji tashme është përfshirë edhe në kuadër të reformave si dhe procesit të dialogut të Stabilizim Asociimit. 

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron se Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane nuk ka buxhet të tij dhe nuk ka shpenzime të vijave buxhetore.
 
E treta: Rikujtojmë se Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit ka arritur që të krijojë një konsensus të plotë në shoqëri për thellimin e luftës kundër korrupsionit, dhe gjithashtu ka ndihmuar të gjithë mekanizmat për luftimin e dukurive negative në shoqëri, që të bashkërendojnë dhe të bashkëveprojnë në punën e tyre. Përveç të tjerash është ngritur bashkëpunimi ndërmjet vetë institucioneve që janë të angazhuara në luftën kundër korrupsionit si dhe është bërë një koordinim edhe me shoqërinë civile në adresimin e këtyre çështjeve. Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit nuk është mekanizëm i dyfishtë, por ka një rol të rëndësishëm në shoqërinë e Kosovës sepse ndihmon në vendosjen e një bashkëpunimi të rregullt ndërmjet institucioneve të angazhuara në luftimin e korrupsionit, por pa e prekur pavarësinë e secilit prej tyre. Raporti i progresit i KE-së ka përmendur modalitetet e takimeve të Këshillit dhe ka kërkuar mbylljen e takimeve të tij me qëllim të adresimit të lirë të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar të cilën gjë Presidentja edhe e ka zbatuar.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron se Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit nuk ka buxhet të tij dhe nuk ka shpenzime të vijave buxhetore.
 

This site is registered on wpml.org as a development site.