presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotëri Lulzim Basha.

Presidentja Jahjaga me z. Basha biseduan  për zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë, me theks në zhvillimet më të fundit në Kuvendin e  Republikës së Kosovës si dhe proceset e  tjera që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Presidentja Jahjaga e njoftoi z. Basha me nismat e saj për të gjetur zgjidhje për dy kërkesat e opozitës, që kanë të bëjnë më Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës dhe me procesin e shënjimit të kufirit shtetëror midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. Presidentja Jahjaga tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është udhërrëfyes për qeverinë se si duhet të veprohet në raport me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ndërsa sa i përket demarkacionit, Presidentja Jahjaga  tha se shumë shpejt do të fillojë punën një komision i pavarur me ekspertët ndërkombëtarë i cili do ta analizojë gjithë procesin. Presidentja Jahjaga dhe kryetari i   Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotëri Lulzim Basha, biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Presidentja  nënvizoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces dhe kërkoi që zbatimi i këtyre marrëveshjeve të jetë parakusht për procesin e  integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Kryetari i   Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotëri Lulzim Basha shprehu mirënjohje dhe mbështetje për punën dhe rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur Presidentja Jahjaga si faktor i unitetit në Kosovë. Ai theksoi se Presidentja Jahjaga ka dëshmuar se ka qenë zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe çmoi lart kontributin e saj për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.