Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, z. Urban Ahlin.
Presidentja Jahjaga e falënderoi z. Ahlin për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Suedisë i ka dhënë Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe theksoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe për proceset e integrimit në strukturat euroatlantike. Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit si dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Ajo nënvizoi se, përkundër sfidave, Kosova sot është promotore e paqes dhe e stabilitetit në rajon, dhe ky është sukses i përbashkët i institucioneve, qytetarëve të Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtarë. Presidentja Jahjaga dhe Kryetari i Parlamentit të Suedisë, z. Urban Ahlin, biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, dhe u dakorduan se përpos arritjes së marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, është shumë i rëndësishëm angazhimi konkret për implementimin e tyre në praktikë. Kryetari i Parlamentit të Suedisë, z. Urban Ahlin, shprehu përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet dhe qytetarët e Kosovës në të gjitha sferat me interes dypalësh si dhe në procesin e integrimi të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se Suedia është përkrahëse e politikës së zgjerimit të BE-së dhe mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai theksoi se migrimi ilegal ka vështirësuar këtë proces, por gjithashtu tha se Kosova duhet të përmbushë të gjitha kriteret në kuadër të këtij dialogu.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR