presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti kryeprokurorin e shtetit, Ismet Kabashi

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryeprokurorin e shtetit, zotëri Ismet Kabashi.

Zotëri Kabashi i dorëzoi Presidentes Jahjaga dy dokumente të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Raportin për punën e Prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë së Shtetit si dhe një Raport për harmonizimin e statistikave. Raporti i fundit i hartuar nga KPK është një dokument i mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për harmonizimin e statistikave për veprat penale karakteristike dhe është pjesë e punës bazë të Këshillit Prokurorial të Kosovës në përmbushjen e kritereve në procesin e liberalizimit të vizave dhe në kuadër të procesit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Të dyja dokumentet e dorëzuara sot nga kryeprokurori i shtetit kanë qenë pjesë e rekomandimeve të dala në takimet e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, që është themeluar dhe udhëhiqet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga. Kryeprokurori i shtetit, zotëri Ismet Kabashi e njoftoi Presidenten Jahjaga se Këshilli Prokurorial i Kosovës do të miratojë së shpejti një vendim për trajtimin me prioritet të të gjitha rasteve të hapura të veprave penale që lidhen me korrupsionin duke vendosur një afat kohor deri më 30 qershor 2014. Zotëri Kabashi theksoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës do të punojë me kapacitete të shtuara për të arritur rezultate në fushën e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Vendimi i KPK-së është gjithashtu pjesë e rekomandimeve që dalin nga takimet e Këshillit Kundër Korrupsion të Kosovës. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga theksoi se prioritet i të gjitha institucioneve në Kosovë është vendosja e sundimit të ligjit dhe rendit dhe se në arritjen e këtij synimi është i domosdoshëm bashkërendimi dhe bashkëveprimi i të gjitha institucioneve dhe mekanizmave të mandatuara për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është edhe misioni i Këshillit Kundër Korrupsion të Kosovës. . Presidentja Jahjaga dhe kryeprokurori i shtetit Kabashi biseduan edhe për procesin e zgjedhjeve komunale në Kosovë, që do të mbahen në gjithë territorin e vendit njëkohësisht më 3 nëntor dhe vlerësuan se ato duhet të jenë të sigurta, të lira, demokratike, të drejta dhe të ndershme.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.