Diskriminimi ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta është i papranueshëm, është në kundërshtim me vlerat dhe parimet mbi bazën e të cilave ne kemi vënë themelin e shtetit tonë, ku secili qytetar, pa dallim, i gëzon të drejtat dhe mundësitë e barabarta.
Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar deputetë, Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike më Republikën e Kosovës,I nderuar përfaqësues i KB në Kosovë, z.Farid ZarifE nderuara shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, zonja Laila Omar Gad,Të nderuar fëmijëTë nderuar prindër, Të nderua të pranishëm, Diskriminimi ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta është i papranueshëm, është në kundërshtim me vlerat dhe parimet mbi bazën e të cilave ne kemi vënë themelin e shtetit tonë, ku secili qytetar, pa dallim, i gëzon të drejtat dhe mundësitë e barabarta.Nga raporti i UNICEF-it, Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, mësuam një të vërtet globale të hidhur, se fëmijët me aftësi të kufizuara, fizike e mendore, janë ndër personat më të izoluar në botë.Kjo e dhënë duhet të trokasë në ndërgjegjen e secilit qytetar, ndërsa për institucionet e shtetit është një alarm se duhet të kenë prioritet fëmijët, pasi që, siç e themi gjithmonë,ata, fëmijët, janë ardhmëria jonë, edhe kur them ata mendoj për të gjithë fëmijët, pa dallim.Të gjithë fëmijët kudo nëpër botë, duhet të gëzojnë të drejtat të cilat i kanë të garantuara me ligjet në fuqi, me kushtetutë dhe me konventat ndërkombëtare. E kam thënë disa herë, po e them edhe sot, sepse fuqishëm besoj se investimi në familje, në grua dhe, sidomos në fëmijë, është investimi më i zgjuar, sepse familja është bërthama, shtylla kurrizore e një shteti, fëmijët janë ardhmëria jonë dhe investimi në të ardhmen asnjëherë nuk është investim i gabuar.Prandaj, kërkoj nga institucionet, i ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të ndalojnë diskriminimin ndaj fëmijëve në përgjithësi, e sidomos ndaj atyre me nevoja të veçanta, dhe që secili prej nesh të filloj të investojë dhe të ndihmojë që ata të shfrytëzojnë në mënyrën sa më të mirë të mundshme talentin që kanë, sepse vetëm me nxitjen dhe zhvillimin e aftësive të tyre ekzistuese dhe me avancimin e tyre, do të kemi një shoqëri më të zhvilluar dhe më gjithëpërfshirëse.Shekulli 21 është shekulli i integrimeve, jo vetëm nëpër institucionet ndërkombëtare dhe nismat globale, por i integrimit në përgjithësi, prandaj, nisur nga ky këndvështrim, ju ftoj që të hiqni dorë nga paragjykimet, të hapni vizionin tuaj për të ardhmen dhe t’i bëni të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta, të ndjehen pjesë e rëndësishme e kësaj shoqërie, të ndihen kontribuues në ideimin e të ardhmes së tyre. Të gjithë lindin të barabartë dhe ashtu duhet të rriten dhe të jetojnë, me mundësi të barabarta, jo me privilegje, por as me nënçmime e paragjykime. Vetëm kështu ata nesër do të bëhen qytetarë të përgjegjshëm dhe model për sjellje dhe edukatë qytetare, për aftësi në menaxhim me të gjitha sfidat me të cilat do t’i përballojë jeta.Kosova është vend i cili synon integrimin në Bashkimin Evropian, për këtë na duhet të përmbushim disa kritere, duhet të kryejmë disa reforma, e them gjithmonë po e theksoj edhe këtu, të gjitha ato ndryshime nuk duhet t’i bëjmë për hatër të të tjerëve, por për interesin më të mirë tonin, që fëmijët tanë të ndihen të barabartë, të gëzojnë mundësi për qasje në shkollim, shëndetësi, punësim dhe në çdo sferë tjetër të jetës.UNICEF-i ka dokumentuar se fëmijët me nevoja të veçanta përballen me diskriminim, paragjykime dhe izolim, si në vendet e varfra ashtu edhe në vendet e pasura. Kjo situatë duhet patjetër të ndryshojë. Dëshiroj të dërgoj mesazhin kudo nëpër botë, se asnjë shoqëri nuk do të pësojë, përkundrazi do të ketë përfitime edhe më të mëdha, nëse i përfshin këta fëmijë në jetën sociale dhe zhvillimet e përgjithshme, e jo nëse i izolon ata. Ne si liderë duhet të paraqesim qartë vizionin tonë për këtë pjesë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme të shoqërisë, të angazhohemi dhe të punojmë konkretisht për gjithpërfshirje, të përqendrohemi në aftësitë e jo në kufizimet e këtyre fëmijëve dhe si atyre ashtu edhe neve të na hapet vizioni dhe të na ofrohen mundësi që nuk i kemi pasur deri më sot.Të mos vazhdojmë të sillemi sikur këta fëmijë nuk ekzistojnë, sepse ata janë këtu mes nesh, po presin që ne të krijojmë kushte që ata të ndihen të barabartë, dhe të kenë shansin të përfshihen në arsim sot, në mënyrë që nesër edhe ata të mund të kontribuojnë për vendin e tyre dhe, të gjithë së bashku, t’i tejkalojmë paragjykimet për çdokënd që nuk është si ne, sepse të gjithë ne jemi të veçantë dhe të gjithë ne kemi nevoja të ndryshme, por vetëm duke i zgjeruar pikëpamjet tona, ne do të ngadhënjejmë mbi veten dhe vetëm atëherë do të mund të flasim për një shtet ku secili qytetar gëzon të drejta dhe mundësi të barabarta, pavarësisht dallimeve që kemi. Këtë duhet ta bëjmë ne sot, për hir të një të ardhmeje më të mirë të fëmijëve tanë dhe të fëmijëve të tyre, që secili të ndjehet në paqe me veten pavarësisht nevojave që do t’i ketë.Për një botë pa diskriminim, për një Kosovë gjithëpërfshirëse, për të ardhmen tonë më të ndritur, t’ju ofrojmë të gjithë fëmijëve mundësi të barabarta. Ju faleminderit!