presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti kongresistin amerikan Robert Aderholt

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim kongresistin amerikan Robert Aderholt, që mori pjesë në “Lutjen e Mëngjesit”, që u organizua në kuadër të Javës së Tolerancës dhe Pajtimit, në Prishtinë. Ai shoqërohej nga Stan Holmes, president i fondacionit për organizimin e Lutjeve të Mëngjesit.

Presidentja Jahjaga fillimisht tha se populli i Kosovës i është mirënjohës SHBA-së, administratës amerikane, Kongresit amerikan dhe popullit të Amerikës, për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që kanë dhënë, në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe të demokratizimit të Kosovës.
 
Ajo tha se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët të institucioneve dhe popullit të saj si dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe vlerësoi përkushtimin e SHBA-së dhe BE-së për Ballkanin dhe për procesin integrues evropian të shteteve të këtij rajoni.  
 
Presidentja Jahjaga tha se prania e vazhdueshme e SHBA-së në Kosovë është garanci për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në vend por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit. Ajo theksoi se Kosova ka shënuar përparime të mëdha në më shumë se një dekadë, duke u bërë një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit, dhe një shtet qytetar ku respektohen të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
 
Presidentja Jahjaga tha se Kosova është e përkushtuar që të bëhet anëtare e BE-së, sikurse edhe i gjithë rajoni i Ballkanit dhe gjithashtu është e përkushtuar që të thellojë të gjitha reformat e saj të brendshme në rrugën e integrimeve evropiane, për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.
 
Ajo tha se integrimi në BE do të ndihmojë që të lihet prapa e kaluara duke shikuar përpara drejt të ardhmes së përbashkët si shtete të pavarura dhe sovrane dhe kjo është një garanci për paqen ne gjithë rajonin.
 
Duke folur për marrëveshjet e arritura në Bruksel, në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja, presidentja Jahjaga theksoi se ato duhet të zbatohen plotësisht sepse qojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona.
 
Kongresisti amerikan, Robert Aderholt, që njëherit është edhe bashkëkryesues i Grupit për çështje shqiptare në Kongres, theksoi se Kosova ka arritur përparim të madh në të gjitha fushat. Ai tha se është i impresionuar me zhvillimet pozitive në vend dhe do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në Kongresin amerikan.
 
Në takim me Presidenten Jahjaga, kongresisti amerikan Aderholt ishte i shoqëruar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Adem Grabovci e Lutfi Haziri dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Ahmet Shala.  

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.