presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti anëtarët e Grupit punues për qasje në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim anëtarët e Grupit punues për qasje në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci, zëvendëskryeprokuroren e Shtetit, zonjën Sevdije Morina, zëvendësministrin e Drejtësisë, z. Lirak Çelaj dhe përfaqësuesen e EULEX-it, kryeprokuroren Jaroslava Novotna.

Presidentja Jahjaga i përgëzoi përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë për finalizimin e planit të veprimit për qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke e cilësuar atë si një nismë të rëndësishme të institucioneve të vendit për ofrimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.Presidentja Jahjaga tha se qasja në drejtësi është një ndër prioritetet kryesore të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, me qëllim të rehabilitimit të këtyre viktimave dhe theksoi nevojën e ofrimit të mekanizmave ligjorë institucionalë në përputhje me specifikat e këtij krimi të luftës.Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Lirak Çelaj tha se për implementimin e këtij plani duhet të bëhen reformat e nevojshme në institucionet e drejtësisë, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve të akterëve relevantë, si dhe ofrimin e mbështetjes për të garantuar fuqizimin e viktimave të dhunës seksuale dhe ngritjen e vetëdijes shoqërore për këtë krim lufte.Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci njoftoi Presidenten Jahjaga me vendimin e këtij institucioni për përzgjedhjen e tre gjyqtarëve nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga një gjyqtar në gjykatat rajonale themelore të Kosovës, për të marrë përgatitjen e nevojshme profesionale për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me dhunën seksuale gjatë luftës si dhe me dhunën në familje.Përkushtimin e tyre për t’iu mundësuar qasje në drejtësi viktimave të  dhunës seksuale gjatë luftës e shprehën edhe zëvendëskryeprokurorja e shtetit, zonja Sevdije Morina, si dhe përfaqësuesja e EULEX-it, zonja Jaroslava Novotna.Grupi punues për qasje në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës është formuar me kërkesë të Presidentes Jahjaga, si pjesë e  angazhimeve në kuadër të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.