Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës së Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler, i cili i dorëzoi letrat kredenciale.
Presidentja Jahjaga i vlerësoi lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërshtetëror dhe ndërinstitucional midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë. Ajo theksoi rëndësinë e zgjerimit të këtij bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjen e investimeve austriake në Kosovë.
Presidentja Jahjaga çmoi mbështetjen që Republika e Austrisë i kanë dhënë institucioneve të Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe gatishmërinë e shprehur për të vazhduar mbështetjen për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare.
Ambasadori i Republikës së Austrisë në Prishtinë, z. Gernot Pfandler tha se qeveria e vendit të tij mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës në çdo sferë me interes për të dyja vendet.