“Lobimi për njohje të reja për Republikën e Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në shumë iniciativa rajonale, si dhe në institucionet ndërkombëtare, janë fusha ku Republika e Shqipërisë mund të ndihmojë shumë dhe në këtë drejtim duhet një koordinim i vazhdueshëm mes institucioneve të të dy vendeve”, theksoi sot Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë një takimi me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z.Islam Lauka.
Presidentja Jahjaga gjithashtu vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes të dy vendeve, që kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat, bashkëpunim ky që duhet të intensifikohet edhe më tej. Nga ana e tij, ambasadori Islam Lauka përgëzoi Presidenten Jahjaga për zgjedhjen në detyrën e re, duke i përcjellë edhe urimet e Presidentit Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe duke shprehur bindjen se Presidentja e re e Kosovës do ta kryejë me shumë sukses këtë detyrë.