presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga përshëndeti me një telegram Manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga iu drejtua me një telegram pjesëmarrësve të Akademisë përkujtimore me rastin e përvjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Agim Ramadani, që u mbajt në kuadër të Manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, i cili organizohet në patronazhin e Presidentes së Kosovës.

Në vijim po e japim telegramin e plotë:

Të nderuar pjesëmarrës,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe politike,

Të nderuar Veteranë  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar familje të ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar  familjarë të Heroit të Kombit Agim Ramadani,

Të nderuar familjarë të Heroit të Kombit Sali Çeku,

Manifestimi tradicional “Ditët e Shqipes” ka për qëllim të përkujtojë një nga ngjarjet  më të rëndësishme të historisë sonë, një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , Betejën e Koshares në të cilën betejë u thye kufiri shtetëror në drejtim të Jugosllavisë.

Kjo betejë dëshmoi organizimin e luftëtarëve të lirisë, përkushtimin dhe angazhimin që të çlirojnë çdo pëllëmbë të atdheut.

Rruga e lavdishme e Brigadës 138 të UÇK-s, rënia për liri e 114 ushtarëve të saj, është e njëjtë me rrugën e të gjitha Brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të përbëra nga bijat dhe bijtë më të mirë të Kosovës zhvilluan operacione luftarake, të mbështetura nga populli,  në gjithë territorin  që sollën lirinë dhe shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të Republikës së Kosovës.

Ne  me krenari dhe me respekt i kujtojmë të gjithë luftëtarët e lirisë, të gjithë të rënët në altarin e atdheut, të gjithë invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ne sot pikërisht në ditën  e përvjetorit të rënies e kujtojmë komandantin Agim Ramadani, një ushtarak, një poet, një piktor i cili në thirrjen e atdheut dha shembullin më të mirë si luftohet  dhe si ngadhënjehet mbi armikun.

Më 19 prill do të përkujtojmë edhe përvjetorin e rënies së komandantit Sali Çeku juristit dhe veprimtarit të  çështjes kombëtare. Të dy këta Heronj të Kombit së bashku me mijëra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bënë simbole të rezistencës sonë shekullore për liri, për barazi, për demokraci.

Republika e Kosovës,  në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike, që është synim i të gjithë qytetarëve  të saj,  shkon suksesshëm  vetëm duke pasur udhërrëfyes veprën e këtyre ushtarëve të lirisë, angazhimin ushtarak të NATO-s dhe  përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve të Bashkimit Evropian  si dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike, të lirë, me sundim të ligjit, me ekonomi të zhvilluar me arsim dhe shëndetësi të përparuar.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës , zonja Atifete Jahjaga

This site is registered on wpml.org as a development site.