Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj.Songul Ozan.
Presidentja Jahjaga theksoi në takim se Kosova dhe Turqia janë vende mike, që kanë zhvilluar dhe zhvillojnë në vazhdimësi një bashkëpunim shumë të mirë. Ajo shprehu falënderimin e saj dhe të popullit të Kosovës për ndihmën e vazhdueshme që Republika e Turqisë i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, qoftë në fushën politike, duke u angazhuar për njohjet e reja për vendin tonë dhe për integrimin e tij sa më të shpejtë në institucionet ndërkombëtare, qoftë me prezencën e trupave turke në kuadër të KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare në Kosovë, e sidomos në fushën ekonomike, ku ndërmarrje të fuqishme nga Turqia janë angazhuar në realizimin e projekteve shumë të rëndësishme në vendin tonë. Ambasadorja Songul Ozan i dorëzoi me këtë rast Presidentes Jahjaga mesazhin e urimit të Presidentit të Turqisë, Abdullah Gyl, në të cilin thuhet: “E nderuara Presidente, Në emër të popullit turk dhe në emrin tim personal, Ekselencën e Juaj e përgëzoj përzemërsisht për zgjedhjen në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës. Kam bindjen se miqësia dhe vëllazëria mes Turqisë dhe Kosovës, me angazhimet tuaja të çmueshme gjatë mandatit tuaj në Presidencë, do të zhvillohen edhe më tutje. Turqia do të mbështesë popullin e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve tuaja për ndërtimin e një Kosove shumetnike, shumëkulturore, demokratike, të fuqishme dhe të prosperuar, dhe e cila bazohet në mbizotërimin e ligjit. Bashkëpunimi mes vendeve tona është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për rrugën drejt integrimit në strukturat euroatlantike. Vlerësojmë lart angazhimet e Kosovës për zgjidhjen e çështjeve rajonale përmes dialogut. Ne si Turqi e mbështesim integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Me këtë rast, i përsëris urimet e përzemërta për shëndetin dhe lumturinë personale të Shkëlqesisë suaj dhe për prosperitetin dhe mirëqenien e popullit mik dhe vëlla të Kosovës”.