presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga organizoi pritjen e fundvitit për përfaqësuesit e mediave

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga organizoi sot pritjen e fundvitit për përfaqësuesit e mediave, të cilët e kanë përcjellë gjatë gjithë vitit aktivitetin e Presidentes Jahjaga.

Në një fjalë të mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha:Mirëserdhët,Ne e kemi bërë traditë që të takohemi për festat e fundvitit me të gjithë ju, gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, për të biseduar për gjithë punën, gjithë angazhimin, për të gjitha të arriturat dhe sukseset përbrenda vitit që e kemi lënë pas, por edhe për vështirësitë, për problemet, për sfidat të cilat i  kemi kaluar në vitin që po e lëmë pas.Po ashtu, që t’ju falënderoj për gjithë punën dhe për gjithë angazhimin e juaj, që e keni përcjellë punën e Presidentit të vendit, që e keni përcjellë punën e institucionit të presidentit të vendit, edhe pse ndonjëherë nuk jemi pajtuar me ato që janë publikuar, por thjeshtë ajo është puna juaj, është profesioni juaj dhe kjo, megjithatë, është liria e shprehjes, liria e shtypit dhe është një proces për të cilin ne gjithmonë synojmë si shoqëri, synojmë si shtet dhe unë gjithmonë them se ju keni luajtur rolin tuaj në shoqërinë tonë dhe e vlerësoj punën tuaj, profesionalizmin tuaj, në mbikëqyrjen e demokracisë. Vetë puna juaj nganjëherë, si një farë lloj mbikëqyrjeje e punës sonë, e institucioneve të vendit, na bën më të përgjegjshëm, na bën më llogaridhënës në punën tonë dhe në angazhimet tona dhe për vizionin e një shteti demokratik, një shteti të zhvilluar, një shteti të përparuar, ku sundon rendi dhe ligji, një shteti ku të gjithë qytetarët tanë e shohin të ardhmen e tyre përbrenda vet vendit të tyre, që e shohin perspektivën e tyre përbrenda vet shtetit të vet dhe një shtet që gjithsecili prej neve, duke filluar nga qytetari dhe të gjitha institucionet, është krenar për vendin e vet dhe për institucionet e tij.Nuk kemi kohë besoj që të bisedojmë thjesht për të gjitha problemet dhe të arriturat, por do ta shfrytëzoj kohën që me gjithsecilin prej jush individualisht të bisedojmë për të gjitha ato të arriturat që i kemi pasur si shtet, por edhe problemet dhe sfidat sidomos në këto gjashtë muajit e fundit, të cilët ne i kemi kaluar. Them se viti 2015 është një vit në të cilin na pret një punë goxha e madhe, një angazhim shumë i madh i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë, është një vit, unë i  them i reformave të thella që duhet të ndodhin në shtetin tonë, reforma që është dashur të ndodhin ndoshta vite me radhë, por ne tanimë duhet ta zëmë hapin, sepse kemi një rrugë të gjatë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Të gjitha reformat në çdo shoqëri, edhe në ato më të avancuara demokratike, janë reforma të cilat në njëfarë mënyre hasin në rezistencë në mesin e qytetarëve, por janë reforma të dhimbshme, të gjithë i pranojmë ato, janë reforma të domosdoshme, që janë të ndërlidhura me mirëqenien dhe me përmirësimin e jetës së gjithsecilit qytetar të vendit. Në secilin gazetar dhe në secilin medium të vendit unë shoh aleatë të fuqishëm, në njërën anë, për qytetarët e vendit, por edhe për institucionet e vendit, që kurdo që është për lavdërimin e institucioneve dhe punën që bëhet, por edhe kur është për kritika, gjithsesi se edhe kjo duhet të bëhet, sepse edhe ajo është pjesë e punës dhe ndikon në transparencën e institucioneve të vendit. Unë ju uroj festat e fundvitit juve, familjeve tuaja dhe, përmes juve, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të jetë vit i sukseseve dhe vit i mirëqenies së qytetarëve tanë, i prosperimeve të mëtutjeshme. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.