Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë në Forumin Publik “Gratë, Progresi dhe Ekonomia Globale” të organizuar nga Banka Amerikane Merrill Lynch dhe Vital Voices Global Ambassadors, e organizuar në Londër. Kjo ngjarje mblodhi liderë të fushave të ndryshme për të diskutuar rreth çështjeve aktuale lidhur me fuqizimin ekonomik dhe social të grave, me theks të veçantë në rajonin e Evropës Lindore dhe në Lindje të mesme/Afrikë veriore.
Forumi këtë herë u fokusua në diskutimet rreth kontributit të grave lidere dhe grave ndërmarrëse në adresimin e disa prej çështjeve më urgjente të kohës, duke përfshirë krizat humanitare, rindërtimin e komuniteteve të pas konfliktit dhe promovimin e zhvillimit gjithëpërfshirës.Presidentja Jahjaga mori pjesë në panelin ku u diskutua për gratë udhëheqëse të progresit, së bashku me Baroneshën Mary Goudie e Ambasadoren Melanne Verveer.Presidentja Jahjaga tha se barazia gjinore është faktor kyç në garantimin e shoqërive të prosperuara, duke shtuar se gratë janë agjente të paqes, të stabilitetit dhe të zhvillimit. Pjesëmarrja e barabartë e grave garanton shoqëri demokratike, ekonomi me zhvillim të qëndrueshëm dhe, mbi të gjitha, të ardhme të ndritur për gjeneratat e ardhshme.Ajo shtoi se Kosova është ende duke u përballur me pasojat e konfliktit dhe rehabilitimin e viktimave që la pas, duke theksuar se e ka kthyer në prioritet të punës së saj rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe ofrimin e mbështetjes së plotë institucionale dhe shoqërore për ta.Presidentja Jahjaga tha se gratë në çdo periudhë nëpër të cilën ka kaluar Kosova kanë dhënë kontribut të çmuar dhe kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për ta çuar vendin e tyre përpara. Ajo theksoi se nuk mund të ndërtojmë paqe të qëndrueshme pa pjesëmarrjen e grave në të gjitha proceset e rindërtimit.Presidentja Jahjaga tha se gratë që udhëheqin pozita të larta të shtetit konsiderohen ende si raste të veçanta, prandaj ajo shtoi se duhet të punohet më shumë për të garantuar përfaqësimin e grave në çdo nivel në çdo fushë të jetës duke e kthyer atë në normë.