Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, zotëri Marius Vizer, të cilit i ndau Medaljen Presidenciale të Meritave, për ndihmë në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga e falënderoi zotëri Vizer për ndihmën e madhe që i ka dhënë Kosovës në fushën e sportit, në procesin e anëtarësimit të saj në KON dhe në veçanti për ndihmën e madhe që i ka dhënë Federatës së Xhudos së Kosovës. Ajo tha se me anëtarësimin e Kosovës në KON dhe në Federatat e tjera ndërkombëtare të rinjtë e të rejat e Kosovës do të jenë pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e sportit ndërkombëtar që do t’u mundësojë atyre të tregojnë gjithë aftësitë, talentin dhe shkathtësitë sportive duke përfaqësuar shtetin e tyre në skenën ndërkombëtare. Kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, zotëri Marius Vizer e përgëzoi Presidenten Jahjaga, institucionet e Kosovës, Federatën e Xhudos dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për anëtarësimin në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare të sportit dhe tha se mbështetja për Kosovën në fushën e sportit do të vazhdojë. Në takimin e Presidentes Jahjaga me kryetarin e FNXH zotëri Vizer morën pjesë edhe ministri Memli Krasniqi, kryetari i KOK, zotëri Besim Hasani, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, zotëri Fadil Vokrri dhe sportistja nga Kosova me famë botërore, Majlinda Kelmendi.