presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga bashkëbisedoi me përfaqësueset e mediave në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pati një bashkëbisedim me përfaqësueset e mediave në Kosovë, kryeredaktore, redaktore dhe gazetare, me ç’rast i njoftoi ato për Samitin Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas”, që do të mbahet në Prishtinë prej 4 deri më 6 tetor.

Presidentja Jahjaga theksoi se në dy dekadat e fundit Kosova dhe rajoni ka kaluar nëpër faza të tranzicionit dhe, gjatë kësaj periudhe, sakrificat dhe puna e palodhshme e grave ka qenë vendimtare në vendosjen e sigurisë, stabilitetit, si parakushte për zhvillimin e vendeve përkatëse. Ajo theksoi se përmes Samitit Ndërkombëtar të Gruas, të parit të këtij lloji jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin, synohet krijimi i një platforme të përbashkët të avancimit të çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës përtej kufijve, dallimeve etnike, racore apo fetare. “Samiti ndërkombëtar i gruas synon krijimin e urave të bashkëpunimit, komunikimit e partneritetit ndërmjet sektorit publik dhe privat, botës akademike dhe politikëbërësve, jo vetëm brenda kufijve të një shteti por dhe ndërmjet popujve dhe shteteve. Synimi parësor i këtij Samiti Ndërkombëtar të Gruas është shfrytëzimi i çdo mundësie për garantimin e fuqizimit të gruas në çdo fushë të jetës, si një qëllim i përbashkët në shkallë globale dhe si një platformë për zhvillim të përgjithshëm të vendeve tona”, tha Presidentja Jahjaga. Ajo tha se investimi i një shoqërie në avancimin e të drejtave të grave është një investim në të ardhmen e një vendi, ndërsa siguria e gruas garanton sigurinë e të gjithë shoqërisë. Në bashkëbisedim me përfaqësueset e medieve në Kosovë, Presidentja Jahjaga theksoi se Samiti Ndërkombëtar do të ofrojë mundësinë që pjesëmarrësit, gra dhe burra, të shkëmbejnë ide dhe përvoja, të ndajnë praktikat dhe përvojat e tyre më të mira, dhe të ofrojnë zgjidhje për sfidat e mbetura dhe më eminente me të cilat përballen jo vetëm gratë në Kosovë, por edhe ato në rajon dhe më gjerë. Presidentja Jahjaga theksoi se gjatë punimeve të Samitit do të diskutohet përparimi dhe ndryshimet pozitive por në të njëjtën kohë do të identifikohen zgjidhjet potenciale për sfidat globale, me synim përpilimin  e një udhërrëfyesi për të ardhmen që do t’i shërbente  jo vetëm Kosovës e rajonit por dhe vendeve të tjera të botës që ndajnë të njëjtat sfida. “Kosova dhe rajoni ka shumë për të ofruar, prandaj ky samit do të shërbejë si një mundësi unike për të vënë vendin tonë në qendër të zhvillimeve pozitive, por dhe duke i ofruar mundësinë për të përfituar nga përvojat rajonale dhe globale. Në të njëjtën kohë, Kosovës i ofrohet mundësia për të qenë iniciatore e ndërmarrjeve të reja që do të garantojnë avancim e mëtejshëm të gruas si faktor kyç për zhvillim”, tha Presidentja Jahjaga. Gjatë dy ditëve të Samitit pjesëmarrësit do të përqendrohen në zhvillimin ekonomik, pjesëmarrjen politike dhe sigurinë e gruas si çështje kyçe dhe do të adresohen edhe faktorët që ndikojnë në rolin e gruas në shoqëri, do të  diskutohen temat siç janë e drejta pronësore dhe qasja e gruas në burime, fuqizimi ekonomik i saj si dhe barrierat kushtetuese dhe elektorale të pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe vendimmarrje. Temë e cila do të trajtohet në kuadër të Samitit Ndërkombëtar “Partneriteti për Ndryshim-Fuqizimi i Gruas” është edhe roli i gruas në luftimin e korrupsionit, siguria dhe drejtësia si dhe reforma në sektorin e sigurisë. Në Samitin Ndërkombëtar të Gruas do të jenë të pranishëm rreth 200 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni, Evropa, Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika. Organizatore dhe mikpritëse e Samitit është Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me mbështetjen financiare nga USAID dhe mbështetjen organizative nga NDI. Në hapjen zyrtare të Samitit më 4 tetor ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright do të mbajë një fjalë për rëndësinë e gruas si faktor kyç në zhvillimin e një shteti.  Të gjithë pjesëmarrësit janë në nivel të lartë të përfaqësimit nga institucionet qeveritare, lider politik, lider të shoqërisë civile dhe fushës së ekonomisë të cilët me lidershipin dhe kurajën e tyre kanë ndikuar në trendet vendore dhe globale. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.