Obiliq, 3 shtator 2019 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në përurimin e shtatores së heroit Xhavit Haziri.
Presidenti Thaçi ka thënë se do të shkruhen shumë libra, monografi dhe do të bëhen shumë dokumentarë për rolin historik të Xhavit Hazirit.“Heroi i kombit, Xhavit Haziri, ishte personaliteti eminent i luftës tonë për liri, për shtet dhe bashkim kombëtar”, ka thënë presidenti.Kreu i vendit ka shtuar se këtu kemi shumë bashkëveprimtarë të Xhavitit që kanë filluar aktivitetet e tyre për liri, pavarësi, Republikë e bashkim kombëtar dhe do të mund të flasin edhe më gjerë.Por, sipas tij, të gjithë e thonë një gjë: “Xhaviti ishte mjeshtër i organizimit, njeri i ideve kreative për rezistencë kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Njeri i pathyeshëm në burgjet serbe, e në të njëjtën kohë për t’u rikthyer gjithmonë si pas burgut të parë, gjithashtu edhe pas vuajtjes së burgut te dytë në organizim, e pastaj nga vitet 1997-1998 duke ardhur edhe drejtpërdrejtë në istikamet e luftës, duke vizituar zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e duke qëndruar në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i bashkërenduar aktivitetet me simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçin në Prishtinë, dhe të gjitha ato angazhime emblematike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.I pari i vendit ka thënë se për jetën dhe veprën e Xhavitit do të shkruhet e do të flitet shumë, por si bashkëluftëtar i tij dhe si President i Kosovës, ai ka thënë se Xhavit Haziri është emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shtetit të Kosovës dhe e bashkimit kombëtar.