Prishtinë, 8 maj 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me ftesë të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, ka udhëtuar sot në një vizitë zyrtare në Berlin.
Në kryeqytetin gjerman, presidenti Thaçi nesër do të pritet në takim bilateral nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, ku do të bisedohet për tema të ndryshme të interesit të përbashkët.Në këtë takim do të bisedohet për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, për rritjen e shkëmbimit ekonomik dhe bashkëpunimin në fusha të tjera.Presidenti Thaçi do të kërkojë mbështetjen e kancelares Merkel për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dinamizmin e perspektivës evropiane, si dhe vazhdimin e mbështetjes në fazën e fundit të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Kurse sot në mbrëmje, para shumë përfaqësuesve shtetërorë, diplomatikë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave, presidenti Thaçi pritet të mbajë një ligjëratë në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare.Gjithashtu, ai do të bashkëbisedojë më të pranishmit për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, derisa në panel do të jetë edhe ish-ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger.Gjatë qëndrimit në Berlin, presidenti Thaçi pritet të zhvillojë takime të shumta me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Gjermani, për të shtyrë përpara agjendën bilaterale dhe evropiane të Kosovës.