Aman, 20 maj 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Jordani me ftesë të Mbretit të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, mori pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror për Lindje të Mesme dhe Afrikë të Veriut, që këtë vit organizohet nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë.
Në margjinat e këtij Forumi, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime me shumë krerë të shteteve të ndryshime të botës, me të cilët ka biseduar për promovimin dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të Kosovës.
Presidenti Thaçi ka takuar Mbretin e Spanjës, Felipe VI, me të cilin ka diskutuar për promovimin dhe konsolidimin ndërkombëtarë të Kosovës si dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidenti Thaçi po ashtu ka falënderuar Mbretin Felipe VI për mbështetjen që Spanja i ka dhënë Kosovës në kuadër të KFOR-it, në sigurimin e paqes dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.
Në një tjetër takim, presidenti Thaçi ka zhvilluar një bashkëbisedim edhe me presidentin e Qipros, Nicos Anastasiades. Presidenti Thaçi ka theksuar se shtetet e vogla duhet të bashkëpunojnë më shumë, sidomos në shkëmbim të përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fusha tjera.
Ai ka kërkuar nga presidenti Anastasiades që të fillojë një etapë e re në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, të cilat do të ndikojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të Kosovës.
Presidenti Thaçi ka takuar edhe presidentin e Irakut, Muhammad Fuad Masum, me të cilin ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Presidenti Thaçi në këto takime ka kërkuar nga krerët e këtyre shteteve që sa më parë të marrin vendimin e njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim edhe presidentin e Republikës së Nigerit,Mahamadou Issoufou, me presidentin e Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmoud Abbas dhe me shumë krerë dhe përfaqësues tjerë të shteteve, pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror.