Aman, 20 maj 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot me Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, me ftesë të të cilit po qëndron në Jordani.
Presidenti Thaçi, ka falënderuar Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein , për njohjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Jordanisë për shtetin e Kosovës.
Duke folur për njohjet dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, presidenti Thaçi vlerësoi lart kontributin që ka dhënë Jordania në këtë drejtim. “Jordania ka qenë prezentë në Kosovë që nga përfundimi i luftës dhe ka ndihmuar në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës” tha presidenti Thaçi.
Ai më tej tha se është e rëndësishme që të thellohet edhe më bashkëpunimi në mes të të dyja vendeve, sidomos në fushat të cilat janë në interes të dyanshëm.
“Vendet tona ndajnë interesa dhe prioritete të njëjta për paqe të qëndrueshme, për zhvillim dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë”, tha presidenti Thaçi.
Në këtë drejtim është e domosdoshme thellimi i bashkëpunimit të mëtutjeshëm në përgjithësi, në veçanti në fushën e sigurisë.
Mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, falënderoi presidentin Thaçi për vizitën e tij në Jordani, dhe se e vlerësoi si të domosdoshme në thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si në atë të arsimit, kulturës dhe të sigurisë.
Gjatë ditës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë edhe në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror për Lindje të Mesme dhe Afrikë të Veriut, që këtë vit organizohet nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë.
Në margjinat e këtij Forumi, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime me shumë krerë të shteteve të ndryshime të botës, me të cilët ka biseduar për promovimin dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të Kosovës.