DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi shtroi iftar për udhëheqësit shpirtërorë të Bashkësisë Islame

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shtruar iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit, presidenti Thaçi ka thënë se besimtarët myslimanë duke agjëruar dëshmojnë përulje dhe përkushtim ndaj perëndisë, por edhe e forcojnë disiplinën personale si rezistencë ndaj lakmisë dhe tundimit.
 
“Me agjërim gjatë ditës, urinë dhe etjen e kompensoni me përmbushje shpirtërore e morale duke demonstruar sakrificë, por edhe epërsi morale. Agjërimi vë në pah virtytet më të larta morale të njeriut duke forcuar disiplinën personale, si rezistencë ndaj lakmisë dhe tundimit”, tha presidenti Thaçi para udhëheqësve shpirtërorë të Bashkësisë Islame.
 
Ai shtoi se e drejta e besimit është një prej të drejtave thelbësore në kuadër të të drejtave të njeriut, prandaj është detyrë e shtetit tonë që të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
 
“Bashkëjetesa në harmoni mes grupeve të ndryshme fetare në Kosovë është një ndër krenaritë tona më të mëdha dhe të gjithë duhet të angazhohemi që kjo harmoni të kultivohet dhe forcohet sa më shumë edhe në të ardhmen”, tha presidenti Thaçi.
 
Ndërsa, myftiu Naim Tërnava, tha se muaji i Ramazanit na ka begatuar edhe më shumë se muajt e tjerë, me ndjenjën e fisnikërisë e bujarisë, me shtrirjen e dorës ndaj atyre të cilët janë në nevojë duke ju mundësuar që edhe ata të kenë iftare dhe syfyre ashtu siç i ka hije një shoqërie qysh është edhe shoqëria jonë.
 
“E falënderoj presidentin për shtruarjen e këtij iftari dhe sigurisht që ne si Bashkësi Islame e Republikës së Kosovës në vazhdimësi do të jemi gati që të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e vendit tonë që u krijuan me mund dhe sakrificë, për një të ardhme sa më të mirë të shoqërisë sonë, për një prosperitet dhe për forcimin e shtetit. Dhe assesi, Bashkësia Islame e Kosovës, në asnjë rast nuk do të lejoj askënd që në emër të fesë t’i bëjë keq këtij vendi dhe të mundohet nga jashtë që neve të na shpjegoj fenë ashtu si ata e dëshirojnë, duke pas parasysh se ne i kemi kuadrot tona të bollshme të cilat do t’ia dalin kësaj punë”, tha myftiu Tërnava.
 
Në fund, presidenti Thaçi shprehu mirënjohje për përpjekjet edukative të udhëheqësve shpirtërorë të Bashkësisë Islame, me të cilat synojnë që qytetari ynë të përqafojë vlerat themelore të shoqërisë, që të kultivojë më shumë patriotizëm dhe dashuri për atdheun dhe të kuptojë e përvetësojë demokracinë, respektin për ligjin, tolerancën, mirësjelljen dhe normat e tjera morale të nevojshme për të pasur qytetarë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.