Podgoricë, 2 gusht 2017- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Podgoricë, mori pjesë sot në Samitin e Kartës së Adriatikut ‘US-Adriatic Charter’ (A5), i cili kësaj radhe bashkë-organizohet nga Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë.
Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se Samiti i Kartës së Adriatikut, ‘US-Adriatic Charter’ (A5), këtë vit është shumë i veçantë.
“Pjesëmarrja e zëvendëspresidentit amerikan, Michael Pence, vetëm pak muaj pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, është dëshmia më e mirë se anëtarësimi i Kosovës dhe shteteve tjera aspiruese në NATO, do të jetësohet”, tha ai.
Para fillimit të këtij samiti, Presidenti Thaçi, zhvilloi takim bilateral me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, me të cilin u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, tregtar, kulturor dhe arsimor.
Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, ka krijuar një momentum të ri në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit edhe të shteteve të mbetura të Ballkanit në NATO.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme në kuadër të Samitit të Kartës së Adriatikut ‘US-Adriatic Charter’ (A5), presidenti Thaçi, do të zhvillojë një takim bilateral me zëvendespresidentin e SHBA-së, Michael Pence.