presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi kërkon më shumë angazhim për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së të Pagjeturve në fshatin Meje të Gjakovës.

Para familjarëve të të pagjeturve dhe të pranishmëve të tjerë, presidenti Thaçi ka thënë se kjo nuk është vetëm java e kujtimit të dhembjes, por edhe e krenarisë me sakrificën e dëshmorëve të lirisë.Ai ka thënë se Meja, ku sot u përmbyllën aktivitetet e Javës së Personave të Pagjetur, na ka bërë gjithnjë bashkë për të rikujtuar dhe për të mos harruar kurrë përmasën e dhembjes dhe pikëllimit për më të dashurit tanë.Presidenti Thaçi ka thënë se fati i të pagjeturve mbetet plagë e madhe për popullin tonë.“Institucionet e Kosovës, shoqatat që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve me vite të tëra po bëjnë çdo gjë që munden që të zbardhet fati i të pagjeturve. Por, për këtë mision nuk mjafton vetëm ky angazhim, por duhet të punojmë pa u ndalë, që të përfshijmë dhe të angazhojmë sa më shumë edhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndihmojë”, është shprehur presidenti Thaçi.Në Meje të komunës së Gjakovës, presidenti Thaçi tha se për të punuar dhe për të ndërtuar një të ardhme në të cilën të gjithë do të jenë të barabartë, duhet të përballemi edhe me të kaluarën.“Duhet drejtësi për viktimat e luftës. Drejtësi për të gjitha viktimat, pa dallim etnie”, tha ai.Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova është treguar e vullnetshme që të bashkëpunojë me të gjithë, të marrë mbi vete çdo obligim, që të sqarohen dhe dënohen krimet e kryera, nga kushdo dhe kudo. Por, “kjo duhet të kërkohet nga të gjithë në rajonin tonë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se përfshirja e shtetit të Serbisë në krimet e kryera në Kosovë është dëshmuar.“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, por populli ynë është i vendosur që të shikojë nga e ardhmja më e mirë për gjeneratat e reja”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai ka thënë se duhet të punohet më shumë për të ardhmen e sigurt evropiane, për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës dhe për pajtim.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.