09.11.2009. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mori pjesë në punimet e Konferencës ceremoniale me rastin e miratimit të Planit të Punës së Këshillit Konsultativ për Komunitete për periudhën 2009/2010.
Presidenti Sejdiu duke e çmuar punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete gjatë vitit 2009, e vlerësoi bashkëpunimin e mirë të të gjitha komuniteteve, përcjelljen e rrjedhave të përgjithshme nga anëtarët e Këshillit, si dhe dhënien e ideve dhe iniciativat e tyre për punën e mëtejshme, e cila, sipas Presidentit Sejdiu, është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.Plani i Punës së Këshillit Konsultativ për Komunitete për vitin 2010 është miratuar njëzëri nga anëtarët e Këshillit më 14 tetor 2009 dhe në të përfshihen vizioni dhe misioni, objektivat strategjike dhe prioritetet implementuese, zhvillimi i mëtejshëm dhe qasja menaxhuese.Ekipi për zhvillimin e Planit të Punës pas analizës SWOT që ka bërë, ka identifikuar nevojën për të përfaqësuar dhe prezantuar interesat dhe nevojat e të gjitha komuniteteve te Qeveria qendrore dhe autoritetet e tjera relevante, nevojën për të shtuar komunikimin në mes të përfaqësuesve të komuniteteve, nevojën për të zhvilluar një pikëpamje dhe qasje të përbashkët ndaj çështjeve të komuniteteve, si dhe domosdoshmërinë e vendosjes së mekanizmave konsultativë në mes të KKK-së dhe organeve të tjera relevante.Gjithashtu, Presidenti Sejdiu i falënderoi edhe mbështetësit e KKK-së, që përveç Zyrës së Presidentit, janë edhe vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Në këtë takim morën pjesë edhe ambasadorët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Turqisë, Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësues të tjerë nga organizmat e ndryshëm ndërkombëtar të involvuar në çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet në vendin tonë.I pyetur nga gazetarët për thirrjen që Presidenti Sejdiu u ka bërë serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, dhe, nëse ata nuk marrin pjesë në shumësi, a do të emëronte Presidenti përfaqësuesit e tyre në institucionet lokale, Presidenti Sejdiu u përgjigj: “Dëshira dhe puna e parë që po e bëjmë është që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo është çështje e interesit të tyre si komunitet, por edhe e interesit të Republikës së Kosovës për të zbatuar politikat e saj të angazhimit në vendimmarrje të të gjithë qytetarëve”.Duke u bërë edhe një herë thirrje atyre që të marrin pjesë në zgjedhje, Presidenti Sejdiu tha se qytetarët serbë të Kosovës duhet ta vënë edhe ata vetë në analizë kërkesën dhe ofertën që të dalin dhe të vendosin vetë për veten apo të dëgjojnë dikë tjetër që dëshiron t’i mbajë peng ata. “Janë disa shenja pozitive të pjesëmarrjes në pjesën përgatitore, në të cilën ka elemente të mira të prezantuara, por mbetet të pritet dita e zgjedhjeve”, vijoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se institucionet e vendit do të vazhdojnë inkurajimin e serbëve të Kosovës edhe përmes mekanizmave ndërkombëtarë, ndërsa më tej do të veprohet vetëm në bazë të ligjit në fuqi. I pyetur se a mund të ndodhë që të krijohen tensione në periudhën e zgjedhjeve, për shkak të përplasjeve verbale që kanë ndodhur në kohën e zgjedhjeve në mes të kandidatëve, Presidenti Sejdiu pohoi se është një rivalitet normal në kuadër të kornizave ligjore dhe procesi zgjedhor nuk do të kishte shije nëse nuk do kishte rivalitete.“Është me rëndësi që njerëzit të prezantojnë projektet e tyre, por ajo duhet të mbetet në korniza të ligjit, të etikës, ashtu siç është paraparë në Kodin e Mirësjelljes të nënshkruar nga subjektet politike”, tha Presidenti Sejdiu.