Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e ka uruar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bamir Topi, me rastin e pranimit zyrtar të kërkesës së Republikës së Shqipërisë, nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, për statusin e kandidatit për vend anëtar të Bashkimit Evropian. Në urimin e Presidentit Sejdiu thuhet:
Shkëlqesisë së Tij, Bamir TopiPresident i Republikës së ShqipërisëI nderuari President,Ju shkruaj që në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës t’ju uroj Juve, Qeverisë dhe gjithë popullit të Republikës së Shqipërisë për vendimin që e mori Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE), në mbledhjen e mbajtur në Bruksel, për të pranuar zyrtarisht kërkesën e Republikës së Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar të BE-së.Pranimi i kërkesës për statusin e vendit anëtar shënon edhe një arritje të madhe të institucioneve dhe popullit të Shqipërisë dhe vjen si një vlerësim i angazhimeve dhe përpjekjeve të vendit në rrugën e gjatë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.Pas anëtarësimit në NATO, hapja e rrugës për anëtarësim në Bashkimin Evropian paraqet mundësi shtesë për institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë për të qenë pjesë e Evropës së bashkuar në një afat sa më të shpejtë.Integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike shihet me gëzim dhe me admirim nga populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat përcjellin me vëmendje procesin nëpër të cilin po kalon Republika e Shqipërisë, pasi presim që edhe Republika e Kosovës, në një kohë sa më të shkurtër, do të nisë procesin e integrimit në strukturat euroatlantike, një synim ky i përhershëm i yni, drejt të cilit jemi të përkushtuar maksimalisht dhe punojmë pandërprerë për ta arritur sa më parë.Ju lutem, Shkëlqesi, pranoni sigurinë e konsideratës sime më të lartë!Dr.Fatmir Sejdiu,President i Republikës së Kosovës