DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Zgjedhjet e 15 nëntorit, test i suksesshëm për zhvillimin e demokracisë në Kosovë

16.11.2009. – Në një konferencë për media të mbajtur sot, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e vlerësoi procesin e djeshëm zgjedhor si një provim të dhënë për zhvillimin e demokracisë në Kosovë, për ecjen tonë si vend dhe për stabilitetin e qëndrueshëm të punës së institucioneve të vendit.

“Dua të vlerësoj konkurrencën e mirë të partive politike, të kandidatëve të pavarur, dhe në përgjithësi procesin që ishte fer. Nëse ka ndonjë ankesë sigurisht do të shkojë në Komisionin Qendror përkatësisht në Komisionin e Ankesave dhe të Parashtresave dhe ata do merren me to. Ky është një provim i dhënë për zhvillimin e demokracisë në Kosovë, për ecjen tonë si vend dhe natyrisht për stabilitetin e qëndrueshëm të punës së institucioneve të vendit ”, theksoi Presidenti.Në këtë kuadër, Presidenti Sejdiu e falënderoi KQZ-n për punën që e ka bërë, si dhe të gjithë mekanizmat monitorues ndërkombëtarë dhe mekanizmat e tjerë në Kosovë që kanë përcjellë këtë proces të rëndësishëm.“Dua të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një mbështetje të veçantë që i kanë dhënë procesit përmes ekipit të monitoruesve por edhe format e tjera të cilat kanë qenë në një angazhim permanent, sikur edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian në ditën e djeshme”, tha Presidenti.Në konferencën për media, Presidenti Sejdiu iu përgjigj interesimi të gazetarëve për vonesën e publikimit të rezultateve zyrtare nga Komisioni Qendror Zgjedhor, me ç’rast u shpreh të ketë pritur se do të ketë komunikim më të hershëm të rezultateve.“Kam pritur se do të ketë komunikim më të hershëm të rezultateve dhe mendoj se duhet një urgjencë më tepër. Është një përvojë e parë e këtij trupi që të punojë si i pavarur dhe me rëndësi është që të ketë objektivitetin e vet, që është themelorja”, tha Presidenti Sejdiu.Ndërkaq, në lidhje me bojkotimin e zgjedhjeve në masë të madhe nga serbët në veri të vendit për dallim nga pjesëmarrja e kënaqshme e tyre në pjesën qendrore dhe lindore të vendit, Presidenti Sejdiu tha se është një progres i mirë i përgjithshëm me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në shumë parti politike, ku nga gati 75 subjekte garuese, 22 prej tyre kanë qenë subjekte të serbëve të Kosovës. Pra kjo ka qenë një përgjigje e drejtpërdrejt për Beogradin se nuk mundet më të shkojë në një mbajtje peng të këtyre njerëzve që të luftojnë kundër interesave të vetvetes.“Ne do të dëshironim që numri i pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje të ishte edhe më i madh, por kjo është një pjesëmarrje sinjifikative që flet shumë dhe në pjesën veriore ka një presion më të madh, ata njerëz atje mbase ende mendojnë se dikush do ketë ndonjë ide tjetër për çështjen e statusit të Kosovës dhe fatkeqësisht janë peng të drejtpërdrejt i politikave të këqija të Beogradit në relacion me ata”, tha Presidenti.Duke u përgjigjur në pyetjen se si do veprohet me tri komunat në veri të Kosovës të cilat i kanë bojkotuar zgjedhjet, Presidenti Sejdiu tha se në atë pjesë, meqë kemi mbështetjen e EULEX-it dhe të ICO-së, do të konsultohemi dhe do të veprojmë sipas ligjit dhe se një gjë është e qartë se strukturat paralele nuk do të legjitimohen asnjëherë.

This site is registered on wpml.org as a development site.