Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i dërgoi një telegram urimi homologut të tij gjerman, z. Horst Köhler, me rastin e rizgjedhjes President i Republikës Federale të Gjermanisë!Në vijim po e japim tekstin e këtij telegrami:
Shkëlqesisë së Tij, Horst Köhler,President i Republikës Federale të Gjermanisë!I nderuari President Köhler, Në emër të institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju përgëzoj përzemërsisht për rizgjedhjen Tuaj President i Republikës së Gjermanisë.Populli i Kosovës do t’i jetë përherë mirënjohës popullit gjerman për mbështetjen e pakursyer dhe të gjatë që Gjermania ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot, kur vendi im është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 60 vende anekënd globit, me kënaqësi mund të theksoj se Gjermania dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë që t’i thellojnë edhe më tej marrëdhëniet e ndërsjella në të gjitha fushat e jetës.Republika e Kosovës është e vendosur të vazhdojë udhën e saj të pakthyeshme të integrimeve në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në strukturat e tjera euroatlantike dhe, me të drejtë, ajo pret mbështetjen e mëtejme të shtetit mik gjerman. Jam thellësisht i bindur se nën udhëheqjen Tuaj, Republika e Gjermanisë, si gjithmonë, do të jetë një aleat i fuqishëm i popullit të Kosovë dhe aspiratave të tij. Me urimet më të mira për Ju dhe vendin Tuaj, ju lus, Shkëlqesi, të pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë. Përzemërsisht,Dr. Fatmir SejdiuPresident i Republikës së Kosovës