Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i dërgoi një telegram urimi Presidentit amerikan George W. Bush, me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së ShBA-ve. Në këtë telegram thuhet:
Presidentit të ShBA-ve, George W. BushI nderuari Presidenti Bush, Më lejoni që në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës t’ju uroj Ditën e Pavarësisë së ShBA-ve, 4 Korrikun. Kjo datë ka tejkaluar përmasat e një feste kombëtare amerikane dhe është shndërruar në një kremte universale të botës së qytetëruar e demokratike. Ditëlindja e ShBA-ve, 4 Korriku, është një ditë e shënuar për mbarë botën. Ajo është sinonim i lirisë, i përparimit dhe i shpresës. Edhe në vendin tim, në Kosovë, Dita e Pavarësisë së ShBA-ve, përjetohet si një ditë e veçantë. Qytetarët e Kosovës e shenojnë me nderim këtë festë, sepse ajo për ta paraqet ditën e lirisë së një vendi mik, i cili, në orët më të liga të historisë së tyre, më 1999, ndërhyri kundër agresionit serb dhe projektit gjenocidal të Millosheviqit për zhbërjen totale të një populli.Duke j’ua uruar 231-vjetorin e Pavarësisë, ne ju shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë juve dhe popullit të Amerikës për ndihmën dhe përkrahjen e përhershme dhënë Kosovës. Po ashtu, ne jemi të bindur se mbështetja e mëtejme e ShBA-ve do ta përshpejtojë përmbylljen me sukses të procesit të statusit final të Kosovës, në përputhje të plotë me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur për të gjithë qytetarët e saj. Prishtinë, 4 korrik 2007Sinqerisht juaji, Presidenti i Kosovës,Dr. Fatmir Sejdiu