Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dërgoi një telegram urimi kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim Tërnava, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.
Në telegram thuhet:
I nderuari z. Tërnava,
kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës
Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, më lejoni që t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta.
Urojmë që ky muaj të jetë muaj i paqes, mirëkuptimit dhe solidaritetit mes njerëzve në Republikën e Kosovës, në shtetin më të ri në botë, që është pranuar në gjirin e shteteve dhe kombeve të lira, falë edhe kontributit të udhëheqjes dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës në përgjithësi.
Republika e Kosovës është njohur deri tash nga 62 shtete dhe është anëtarësuar në shumë institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Presim që sa më parë të rritet si numri i njohjeve ashtu edhe numri i anëtarësimeve në institucionet prestigjioze ndërkombëtare. Gjithashtu, presim që kontributi juaj në këtë proces të jetë tepër i rëndësishëm.
Ju dëshiroj shëndet, paqe dhe lumturi dhe ju lus, z. kryetar, pranoni konsideratat e mia më të larta.
Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu