DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu udhëtoi në SHBA

21.09.2009. – “Gjatë kohës së zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të kemi takime të shumta me presidentë apo udhëheqës shtetesh.

Synimi ynë themelor është që të takojmë udhëheqësit e vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës deri tash, me qëllim që të japim informacionet shtesë për zhvillimet tona dhe përkushtimin që kemi dhe që të shpejtohet edhe procesi i njohjes nga këto vende”, ka deklaruar dje Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu sot para nisjes për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një deklaratë dhënë në Aeroportin e Prishtinës, Presidenti Sejdiu nuk ka komentuar deklaratat e udhëheqësve serbë lidhur me këtë vizitë dhe as për mundësinë e vazhdimit të bisedimeve, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Republikës së Kosovës.“Unë nuk dëshiroj të komentoj idetë e tyre. Ata deri tash dhe gjithmonë janë përpjekur të pengojnë njohjen e vendit tonë. Për ne është me rëndësi të bëjmë punën tonë si duhet”, tha Presidenti Sejdiu. “Absolutisht nuk ka asnjë ide që të shkohet në bisedime të sërishme me Serbinë. Ne mund të bisedojmë me ta si dy vende sovrane, për temat që janë në interes të bashkëpunimit të dy vendeve, të dy popujve dhe për asgjë tjetër”, theksoi Presidenti Sejdiu.Presidenti Sejdiu gjatë kësaj vizite do të jetë i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.Së bashku me Presidentin Sejdiu për në SHBA ka udhëtuar edhe zonja e parë e Kosovës, Nezafete Sejdiu. Vizita e zonjës Sejdiu bëhet me ftesën e bashkëshortes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zonjës Ban Son-Taek, për të marrë pjesë në “Takimin e dytë qendror vjetor të Kombeve të Bashkuara për autizmin”. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe zonjat e para të një varg shtetesh nga të katër anët e globit.

This site is registered on wpml.org as a development site.