Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, pati sot një takim me zëvendësshefin e UNMIK-ut, z. Steven Schook, me të cilin bisedoi për një varg temash që kanë të bëjnë me aktualitetin politik në vend.
Ata u përqëndruan sidomos në ecurinë e procesit të përcaktimit të statusit politik të vendit dhe në përgatitjet e deritanishme për zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale. Z. Schook e cilësoi si shumë pozitiv njoftimin që ka dhënë dje Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, z. Ban Ki Moon përkitazi me procesin e ri të bisedimeve për statusin, si dhe faktin që ai pret një raport nga Grupi i Kontaktit deri më 10 dhjetor të këtij viti. Po ashtu, z. Scook e cilësoi si të nevojshme marrjen e një vendimi nga Ekipi i Unitetit për zgjedhjet dhe për modalitetet e tyre, siç janë shkalla e pragut zgjedhor, listat e hapura, kohëzgjatja e validitetit të të mandatuarve etj., ndërsa Presidenti Sejdiu ritheksoi pajtueshmërinë e përgjithshme që mbretëron në kuadër të këtij ekipi për këtë proces.“Ende nuk kemi marrë një vendim për zgjedhjet, mirëpo brenda një kohe të shkurtër, mbase brenda 10 ditësh, ne do të kemi një vendim”, theksoi Presidenti Sejdiu, i cili shfaqi bindjen se UNMIK-u, OSBE-ja dhe institucionet e Kosovës do të arrijnë që në bashkëveprim t’i bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura legjislative dhe teknike për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.Gjatë takimit, u diskutua edhe për gjendjen e rëndë që ka mbretëruar ditëve të fundit në Kosovë, për shkak të zjarreve. Me këtë rast, bashkëbiseduesit shprehën mirënjohjen e tyre për punën e mirë që kanë bërë KFOR-i, Ministria e Punëve të Brendshme, TMK-ja dhe të gjitha subjektet dhe individët që kanë punuar për përballimin e kësaj gjendjeje.