“Kosova sot është një shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, me synim të qartë për integrimin sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me një delegacion të brigadës “Atlantiku”, e cila këto ditë po shënon dhjetëvjetorin e themelimit të saj dhe të përfshirjes aktive në luftën për çlirimin e Kosovës.
Delegacioni i përbërë nga bashkatdhetarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që janë me orgjinë nga të gjitha trevat etnike shqiptare, udhëhiqej nga z. Isni Syla, i cili i prezantoi Presidentit Sejdiu historikun e kësaj brigade.Ndërkaq, duke shprehur vlerësimet më të larta të institucioneve dhe të popullit të Kosvës për gjithë pjesëtarët e kësaj brigade, Presidenti Sejdiu pohoi se Kosova sot është një shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, me synim të qartë për integrimin sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike. Po ashtu, Presidenti Sejdiu theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës angazhohen për lëvizjen e lirë të qytetarëve në rajonin tonë, me qëllim të lehtësimit të marrëdhënieve ekonomike, tregtare, kulturore etj., në mes vendeve tona.