Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, bashkë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, dr. Isa Mustafa, bënë sot inaugurimin e fillimit të punimeve në rregullimin e kolektorit te “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë.Me këtë rast Presidenti Sejdiu tha se ky projekt do të jetë me efekte të mira për qytetarët e Prishtinës.
Është shumë me rëndësi që ky projekt të përfundohet me kohë dhe të hapet perspektiva edhe për pjesët e tjera, sepse qyteti ka nevojë duke parë rritën dhe zgjerimin e tij, si dhe me këtë pjesë infrastrukturore mbrojtëse, sepse kjo gjendje ka qenë alarmante për qytetarët e kësaj pjese, theksoi Presidenti Sejdiu.Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa e informoi Presidentin Sejdiu me detajet e këtij projekti dhe theksoi se fjala është për një projekt për të cilin ka pasur shumë kërkesa nga komuniteti, pasi lumi ka vërshuar gjithmonë objektet dhe ka rrezikuar familjet.Dr.Mustafa përkujtoi më tej se vërshimet nga lumi kanë rrezikuar seriozisht shëndetin e banorëve sidomos të fëmijëve, dhe pikërisht për këtë ka pasur kërkesa të shumta nga banorët që kjo gjendje të sanohet. Sipas Mustafës, me këtë do të arrihen dy efekte, do të izolohen të gjitha ujërat dhe do të ndërtohet rruga mbi kanalin e lumit ”Prishtina” në gjatësi prej 800 metra.Ky projekt, që do të kushtojë rreth 1.5 milionë euro dhe që pritet të përmbyllet në vjeshtë të këtij viti, nuk është i vetmi për këtë pjesë, ku është në plan ndërtimi i dy objekteve shkollore, njëri i financuar nga Ministria e Arsimit, tjetri nga USAID-i në bashkëpunim me komunën e Prishtinës.