presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, z.Frode Mauring

Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu takoi përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, z. Frode Mauring, dhe drejtorin e ri të UNDP-së, z. Maurice Dewulf.

Presidenti i uroi mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në punë drejtorit Dewulf duke i premtuar atij bashkëpunim të ngushtë. Ai theksoi se bashkëpunimi është më se i nevojshëm në këtë kohë të rëndësishme për Kosovën dhe përgëzoi UNDP-në për punën e madhe që ka bërë në Kosovë gjatë viteve të fundit me programet e shumta, sidomos në sferën e zhvillimit ekonomik. Presidenti Sejdiu, gjithashtu i njoftoi mysafirët për proceset aktuale në vend. “Gradualisht po i afrohemi përmbylljes së një projekti të madh, përcaktimit të statusit final të Kosovës. Presim që ky takim i fundit në Vjenë të jetë përmbyllës dhe çështja e Kosovës të vendoset sa më parë në Këshillin e Sigurimit. Ne besojmë se Kosova është e gatshme të startojë si një shtet i pavarur dhe pavarësia do të hapë rrugë për zhvillim dhe perspektiva të reja”, theksoi ndër të tjera Presidenti Sejdiu. Z. Mauring, Përfaqësues i UNDP-së në Kosovë dhe njëherit koordinator i agjensive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha se do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën dhe popullin e saj me projektet dhe programet e ndryshme për zhvillim. Ai gjithashtu theksoi nevojën e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe e falenderoi Presidentin Sejdiu për gatishmërinë e tij që të takohen dhe të bisedojnë për këto çështje.

This site is registered on wpml.org as a development site.