I nderuari President Ahtisari, Të nderuar përfaqësues të Grupit të Kontaktit, Zonja dhe zotërinj, Jemi mbledhur sot këtu për t?i dhënë fund procesit historik të përcaktimit të statusit të Kosovës, pavarësimit të vendit tonë. Pavarësia është çelësi për vetë ekzistencën dhe frymën e popullit të Kosovës që përjetoi okupimin e gjatë serb, pasi që kishte përjetuar sundimin shumëshekullor otoman, mu sikurse edhe vetë serbët, fqinjtë veriorë që u kthyen në sunduesit tanë.
Fakeqësisht dhe kundër vullnetit të vet, Kosova mbeti nën sundimin serb e jugosllav gjatë gjithë shekullit XX. Me vullnet të artikuluar popullor dhe rrugë kushtetuese, Kosova deklaroi pavarësinë e vet nga federata jugosllave, njësi e së cilës ishte, në fillim të viteve 1990 në përpjekje për të dalë me mjete paqësore e demokratike, e pagjakosur, nga kjo krijesë shtetërore. Ky doli të jetë idealitet, që, si çdo synim idealist, ia vlen të aspirohet, po del shpesh të jetë i parealizueshëm. Ky synim demokratik i kosovarëve doli i parealizueshëm kundruall ideologjisë hegjemoniste të Millosheviqit dhe të ithtarëve të Serbisë së Madhe, e cila, e maskuar me parashenjat e ruajtjes së integritetit të Jugosllavisë karshi forcave nacionale centrifugale, për fat të keq, u keqinterpretua për një kohë të gjatë si rojtare e paradigmave të rendit modern demokratik në botë.Shumica e popullit të Kosovës qe në zgrip të shfarosjes në fund të dekadës së kaluar, kur Millosheviqi dhe Serbia me makinerinë e vet politike, policore, e ushtarake u nisën në sulmin e tyre përfundimtar gjenocidal ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke shkaktuar rreth 15 mijë viktima. Mbi 800.000 shqiptarë të Kosovës u deportuan dhunshëm nga Kosova. Mbi 120.000 shtëpi u dogjën e u rrënuan në fushatën e agresionit serb ndaj Kosovës. Konsensusi politik e shoqëror me të cilin Millosheviqi dhunoi Kosovën për një kohë të gjatë, e cila kulmoi me politikën e tokës së djegur në pranverën e vitit 1999, është i paparë në historinë moderne. Në Serbi Millosheviqi kishte opozitë për pushtet, por nuk kishte kundërshtim për politikat e agresionit dhe mësymjes gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Në ato orë të liga për Kosovën, bota paqedashëse, miqtë tanë amerikanë dhe evropianë, strukturat euro-atlantike, u vunë në mbrojtje të vlerave elementare civilizuese, të së drejtës sonë për jetë e liri, përballë barbarisë së makinerisë ushtarake të Serbisë së Millosheviqit. Për këto të drejta e vlera luftuam ne shqiptarët e Kosovës me gjithë forcën tonë me mjete politike; në fund edhe me armë. Janë këto dy përdegëzimet e luftës sonë politike dhe të armatosur që identifikohen me Presidentin Ibrahim Rugova, udhëheqësin e lëvizjes indipendiste, që do të shihet në retrospektivë historike si themeltar i shtetit të Kosovës, dhe Adem Jasharin, komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I nderuar President Ahtisari, Të nderuar përfaqësues të Grupit të Kontaktit, Zonja dhe zotërinj,E kemi thënë në fillim të procesit që po e mbyllim tani se pavarësia është alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi i qëndrimit tonë. Asnjë lidhje strukturore me institucionet shtetërore të Serbisë nuk është e pranueshme për ne. Dokumenti për Kosovën që kemi përpara përmban kompromise të dhimbshme që ne kemi bërë, pa cenuar përcaktimin tonë për pavarësi të Kosovës. Shteti i Kosovës, me popullsi mbi nëntëdhjetë përqind shqiptare, u njeh pakicave të veta një nivel të drejtash që s’i kanë pakicat në vende të tjera në Evropën Juglindore. Serbishtja e pesë përqindëshit të popullsisë është gjuhë me status të barabartë zyrtarësie me shqipen e mbinëntëdhjetëpërqindëshit të popullit të Kosovës. Serbët dhe pakicat e tjera marrin me këtë pako të statusit të Kosovës të drejta dhe garanca që sigurojnë përfaqësimin e tyre politik, apo thënë më saktë mbipërfaqësimin politik, por edhe të drejta për vetëqeverisje në rrafshin lokal që pakicat e tjera në këtë pjesë të Evropës mund t’ua kenë lakmi. Ne ua garantojmë këto të drejta, sepse ne duam ta ndërtojmë fatin dhe mirëqenien tonë mbi lumturinë tonë e të bashkëqytetarëve tanë, mbi lumturinë e përbashkët, e jo mbi fatkeqësinë e kujtdo.Plani i Ahtisarit – le të më lejohet ta quaj kështu këtë pako, mbasi që është bërë emërtim popullor – është i pranueshëm për ne. Kompromiset e dhembshme që i kemi bërë, kanë synuar të adresojnë shqetësimet dhe kërkesat e pakicave, në rend të parë të komunitetit serb. Më duhet ta them, megjithatë, se kemi drojë që disa zgjidhje të ofruara në këtë pako mund ta sfidojnë funksionalitetin strukturor të shtetit tonë. I nderuar President Ahtisari,Të nderuar përfaqësues të Grupit të Kontaktit, Zonja dhe zotërinj,Ne e mirëpresim këtë plan dhe zotohemi se do ta vëmë në jetë si pako përbërëse dhe përcjellëse për shtetin e pavarur të Kosovës, ku shumica shqiptare dhe pakicat marrin përgjegjësitë e plota për ta qeverisur vendin duke respektuar nevojat ekzistenciale dhe sensibilitetet kulturore e etnike të njëri-tjetrit.Kjo është Kosova e ardhme, shtet modern, i cili realizohet pas një historie të gjatë rezistence ndaj okupimit të huaj, duke pasë kaluar edhe stuhitë e luftës dhe përpjekjet e mëdha për rimëkëmbje fizike e shpirtërore nga viti 1999 e këndej.Ne kemi gëzuar ndihmën e pakursyer të botës demokratike në vitet e pasluftës. Këto ndihma na kanë mundësuar që të tejkalojmë problemet emergjente e të konsolidimit si pasojë e luftës dhe dezinvestimit shumëvjeçar në Kosovë. U jemi mirënjohës të gjitha vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare që na kanë ndihmuar në rindërtimin e Kosovës pas luftës.Duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe, pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s dhe vendosjes së misionit të OKB-së në Kosovë, kanë ndodhur procese të rëndësishme demokratike dhe zhvillimore. Mbi bazë të zgjedhjeve të lira e demokratike, në Kosovë janë ndërtuar institucione të qëndrueshme në nivel lokal dhe qendror, të cilat janë dëshmuar me funksionalitetin e tyre. Sukses i këtyre institucioneve është rimëkëmbja ekonomike e Kosovës dhe fillimi i transformimit rrënjësor të kësaj ekonomie mbi baza të ekonomisë së lirë të tregut. Është krijuar një infrastrukturë bashkëkohore ligjore për të gjitha fushat. Kosova ka krijuar një sistem të qëndrueshëm bankar dhe buxhetor dhe zhvillon një proces të suksesshëm të privatizimit. Sido që të jetë, në mungesë qartësie të statusit, ekonomia e Kosovës nuk ka mundur të zhvillohet në potencialin e vet të plotë, duke mos pasur mundësinë për qasje në institucionet financiare ndërkombëtare dhe për partneritet edhe më të suksesshëm me investitorët e jashtëm.Gjatë këtyre viteve, Kosova ka përmbushur një vistër të gjerë të standardeve, të njohura si Standarde për Kosovën, të cilat kanë përmirësuar cilësinë e jetës, demokracinë, si dhe të drejtat dhe liritë e qytetarëve të saj.I nderuar President Ahtisari, Të nderuar përfaqësues të Grupit të Kontaktit, Zonja dhe zotërinj,Tash është koha që Kosova, me identitetin e vet të veçantë etnik, gjeografik, historik, e juridik, me strukturat demokratike përfaqësuese që ka krijuar, të njihet si shtet i pavarur dhe sovran. Kosova është rast sui generis në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo gjë pranohet sot pothujse prej të gjithëve. Me Kosovën shtet ne marrim përgjegjësitë dhe obligimet që i takojnë vendit që synon të bëhet pjesë e sistemit ndërkombëtar.Edhe pas pavarësimit, Kosova do të gëzojë për një kohë një prani të ndieshme ndërkombëtare, civile dhe ushtarake, të cilën e kemi ftuar ne, autoritetet legjitime të Kosovës. Kjo prani do të jetë aty për të na ndihmuar në rrugën tonë të integrimit në familjen euro-atlantike — shtëpinë e vlerave që kemi të përbashkët me kombet e lira e demokratike të kësaj pjese të globit tokësor.Ne i kemi ndarë rrugët me Serbinë në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX. Elita politike e Kosovës synonte vlerat moderne evropiane, ndërsa elita politike e Serbisë ishte kthyer në mitet e shekullit XIX dhe, përmes kësaj, te një mesjetarizim i hapësirës sonë jetësore. Tani është koha që Kosova dhe Serbia, si vende të pavarura, të shkojnë rrugës së integrimeve në strukturat e Unionit Evropian dhe në NATO. Kjo është e ardhmja e përbashkët e të gjitha vendeve të rajonit. Popujt tanë duan të udhëtojnë lirshëm, të gëzojnë liritë dhe mundësitë që i gëzojnë ata që tashmë janë pjesë e Unionit Evropian. Ne mëtojmë të jemi pjesë e vlerave demokratike dhe normave ligjore që mishëron Unioni Evropian, dhe jemi të përkushtuar që të bëjmë punë praktike që t’i inkorporojmë ato në ligjet dhe institucionet tona. Ne e dimë se ky është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë që kërkon punë të madhe, por jemi të përkushtuar të shkojmë kësaj rruge. Këtë ambicie duhet ta kenë të gjithë fqinjët tanë. U them të gjithë fqinjëve, pra edhe Serbisë: le të shkojmë përpara rrugës së integrimeve euro-atlantike.Si President i vendit që është në prag të pavarësisë së njohur ndërkombëtarisht, dua t’ju siguroj edhe një herë se shteti i Kosovës do të ofrojë gamën më të gjerë të mundshme të mbrojtjes, si kushtetuese ashtu edhe institucionale, për të siguruar sundim të ligjit dhe mbrojtje të të drejtave të të gjithëve: të shqiptarëve shumicë dërrmuese, të komunitetit serb, dhe të komuniteteve të tjera pakicë.Ne, përfaqësuesit e Kosovës, ju sigurojmë se pavarësimi i Kosovës dhe njohja e saj shtet sovran dhe i pavarur do të thotë paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin. Prandaj, si shtet i pavarur, përkushtim të veçantë do ta kemi bashkëpunimin me të gjithë fqinjët tanë dhe vendet e rajonit. Ne nuk kemi pretendime apo lakmi për territore të të tjerëve, por as nuk do të tolerojmë pretendimet ndaj territorit tonë.Menjëherë pas njohjes si shtet i pavarur, Kosova do të ushtrojë të drejtën për anëtarësim në të gjitha institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë, pra edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.I nderuar President Ahtisari,Të nderuar përfaqësues të Grupit të Kontaktit,Zonja dhe zotërinj, Më lejoni që në fund të këtij procesi të gjatë dhe kompleks, t’u shpreh falënderimet e mia, në emër të Ekipit të Unitetit dhe të popullit të Kosovës, Juve, President Ahtisari, Grupit të Kontaktit, NATO-s, SHBA-ve, Unionit Evropian, dhe UNOSEK-ut, për angazhimin tuaj në kurorëzimin e këtij procesi për definimin e statusit politik të vendit tim, Kosovës. Ju falemnderit!