Siç jeni të njoftuar, të shtunën e kaluar, më 10 mars 2007, përfunduan bisedimet në Vjenë lidhur me çështjet e veçanta që kanë të bëjnë edhe me statusin e Kosovës, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisari. Ky ishte takimi i fundit në nivelin më të lartë përfaqësues të vendeve.
Ishte ky një proces i gjatë dhe i vështirë që zgjati rreth 14 muaj. Delegacioni i Kosovës e ka informuar këtë Kuvend në vazhdimësi lidhur me bisedimet duke patur mbështetjen e tij të njëkohëshme. Po kështu, para konsultimeve shtesë që u mbajtën para takimit të fundit në Vjenë, në këtë Kuvend u zhvillua një debat i gjerë dhe i rëndësishëm lidhur me Propozimin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari, apo, siç jemi mësuar ta quajmë, Pakon e Ahtisarit.Delegacioni i Kosovës nëpërmjet delegacioneve të tij, si më parë, ashtu edhe së fundi në konsultimet shtesë që u zhvilluan nga fundi i shkurtit dhe ditët e para të marsit 2007, ka shtruar edhe një herë qëndrimet e tij lidhur me këtë propozim, të cilat, si të tilla, janë ndërtuar duke pasur parasysh, pos të tjerash, edhe vërejtjet dhe shqetësimet e paraqitura në Kuvend dhe në të njëjtën kohë edhe nga institucionet e tjera dhe qytetarët.Duke pasur parasysh faktin se Pakoja e Presidentit Ahtisari e përmbyllur tani në strukturën e saj të tërësishme, krahas elementeve të tjera që i trajton për pozitën e komuniteteve pakicë në Kosovë, si e tillë, përmban bazën themelore dhe të qëndrueshme për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, si dhe duke pasur parasysh edhe mbështetjen e Kuvendit të Kosovës, ne e kemi pranuar në parim si të tillë.Serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë në këtë pako të statusit të Kosovës marrin të drejta dhe garanci që sigurojnë përfaqësimin e tyre politik, apo thënë më saktë edhe mbipërfaqësimin politik, por edhe të drejta vetëqeverisjeje në rrafshin lokal që pakicat e tjera në këtë pjesë të Evropës mund t’ua kenë lakmi.Krejt kjo është bërë, sepse kemi dashur t’iu garantojmë këto të drejta, sepse ne duam të ndërtojmë fatin dhe mirëqenien tonë mbi lumturinë tonë e të bashkëqytetarëve tanë, mbi lumturinë e përbashkët e jo mbi fatkeqësinë e kujtdo.Në takimin e fundit të Vjenës, duke ofruar argumentet tona për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, kemi theksuar fuqishëm, si edhe më parë, se pavarësia e Kosovës është alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi i qëndrimit tonë. Asnjë lidhje strukturore me institucionet e Serbisë nuk është e pranueshme për ne.Të nderuar deputetë,Më lejoni t’ju them se delegacioni i Kosovës në unitet të plotë ka shprehur qëndrimin e vet për këtë proces që duhet të përmbyllet tani me njohjen e Kosovës shtet i pavarur dhe Sovran.Ne kemi shprehur besimin tonë të plotë për Presidentin Ahtisari dhe ekipin e tij, për Grupin e Kontatktit, Unionin Evropian dhe NATO-n, për përkushtimin e tyre për përmbylljen e këtij procesi sa më shpejt. Përkushtimin e veçantë të Presidentit Ahtisari për këtë e dëshmon fakti se propozimin e tij, bashkë me rekomandimet politike për të ardhmen e Kosovës, ai i ka transmetuar që sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë peshë të veçantë propozimit të tij si tërësi bashkë me rekomandimet politike dhe trajtimit të Kosovës si rast sui generis në veçanti.Delegacioni i Kosovës duke shprehur qëndrimin e tij për këtë dokument si të pranueshëm për Kosovën dhe duke pasur parasysh edhe plotësimet e ndërkohshme që i ka bërë Presidenti Ahtisari, të cilat kanë qenë të njohura për ne dhe që, si të tilla, nuk e prishin substancën e dokumentit, që besoj se si tërësi do ta ketë Kuvendi i Kosovës në një të ardhme të afërt, ka shprehur përkushtimin e tij se Kosova do të angazhohet denjësisht për implementimin e Marrëveshjes, e cila nënkupton pavarësimin e saj në radhë të parë, duke kërkuar efikasitet të institucioneve të Kosovës në zbatimin e saj.Delegacioni i Kosovës, po kështu ka shprehur qëndrimin e tij se Kosova do të angazhohet që kjo marrëveshje të ketë refleksionin e saj të drjepërdrejtë në Kushtetutën e Kosovës dhe në ligjet e tjera që kanë të bëjnë me këtë materie.Të nderuar deputetë,Delegacioni i Kosovës po kështu ka shprehur qëndrimin e tij për të mirëpritur një prezencë të re civile ndërkombëtare në Kosovë dhe vazhdimin e prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë. Këto i konsiderojmë si faktorë të rëndësishëm për të ndihmuar Kosovën për zhvillimet më të shpejta dhe për integrimet e saj në strukturat euroatlantike, pra për anëtarësimin e Kosovës në Union Evropian dhe në NATO. Kjo njëkohësisht do të thotë një ndihmë e veçuar për shtimin e efikasitetit të institucioneve te Kosovës në fushën e sundimit të Ligjit dhe të sigurisë dhe për ngritjen e një force mbrojtëse të Kosovës të përputhshme me standardet e NATO-s. Po ashtu, delegacioni i Kosovës, me theks të veçantë, e ka shprehur qëndrimin dhe gatishmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e anëtarësuar në sistemin ndërkombëtar, përkatësisht e mekanizmave ndërkombëtare deri edhe me anëtarësimin e saj në OKB.Të nderuar deputetë, Duke pritur dhe besuar se ky proces do të përfundojë shpejt në nivelin më të lartë të vendimmarrjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke hequr nga fuqia Rezolutën 1244 dhe duke nxjerrë rezolutë të re për të ardhmen e Kosovës, më lejoni që edhe një herë të përshëndes nga këtu Presidentin Ahtisari, Grupin e Kontaktit, NATO-n, SHBA-të, Unionin Evropian dhe UNOSEK-un për angazhimin e tyre për kurorëzimin e këtij procesi me definimin e statusit politik të vendit tonë.Kosova, de fakto e pavarur nga viti 1999, falë rezistencës së saj të gjatë, duke u mbështetur në përdegëzimet e luftës sonë politike dhe të armatosur që identifikohen me Presidentin Ibrahim Rugova, udhëheqësin e lëvizjes independiste që do të shihet në retrospektivë historike si themeltar i shtetit të Kosovës, dhe Adem Jasharin, komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe falë intervenimit të NATO-s, sot e pret njohjen e saj ndërkombëtare, si kusht sine qua non për ekzistencën e saj dhe hapjen e perspektivës së re demokratike dhe zhvillimore dhe për bërjen e saj faktor të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Qasja jonë është fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi me të gjithë fqinjtë tanë.Ne do të dëshmohemi!Ju falemnderit.