Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti në një takim kryesinë dhe basketbollistët e KB “Sigal Prishtina”, fitues i titullit të kampionit dhe i kupës së Kosovës për këtë vit, si dhe udhëheqjen e tifozëve “Plisat”.
Presidenti Sejdiu, i uroi ata për titullin e kampionit të Kosovës duke u dëshiruar suksese edhe të mëtutjeshme.Gjatë këtij takimi Presidenti Sejdiu, rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për sportin në përgjithësi dhe për të gjithë sportistët e vendit tonë.“Ka zhvillime të mira dhe progresive në sport, dhe në këtë mënyrë keni edhe mbështetjen time të parezervë si President i vendit“, tha Presidenti Sejdiu.Duke folur më tej për zhvillimin e sportit në përgjithësi, Presidenti Sejdiu tha se sportistët janë ambasadorë të mirë të vendit dhe ne duhet të jemi përkrah tyre që t’i mbështesim në sukseset e shumta që po arrijnë shumë sportistë kosovarë jo vetëm ne Kosovë por edhe jashtë.Përfaqësuesit e KB “Sigal Prishtina”, falënderuan Presidentin Sejdiu për pritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që po i jep sportit.Në shenjë respekti dhe falënderimi për përkrahjen që po ofron Presidenti Sejdiu, Kryesia dhe basketbollistët e këtij klubi i dhuruan Presidentit Sejdiu, një top basketbolli me nënshkrimet e lojtarëve dhe një fanellë.