presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti ambasadorin e Kanadasë, z. Thomas Marr

“E kemi mbështetur dhe e kemi njohur pavarësinë tuaj dhe ju përgëzojmë për menaxhimin e mirë të saj gjatë këtij viti të funksionimit të shtetit të Kosovës”, tha ambasadori i Kanadasë në Zagreb, z. Thomas Marr, i cili ia dorëzoi Presidentit Sejdiu letrat kredenciale të akreditimit të tij si Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Kandasë edhe në Kosovë nga Guvernatorja e Përgjithshme dhe Komandantja Supreme e Kanadasë, znj. Michaëlle Jean.

Duke e falënderuar Ambasadorin Marr për mbështetjen e përhershme që i ka dhënë Kanadaja Kosovës dhe popullit të saj, Presidenti Sejdiu theksoi se pavarësisht largësisë gjeografike, Kosova ka gjetur përherë te Kanadaja një aleate të fuqishme në përpjekjet për liri dhe pavarësi. “Institucionet e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojnë me dashamirësi të veçantë me Kanadanë, duke mos e harruar asnjëherë mbështetjen e rëndësishme që ka dhënë ky vend për zhvillimin e institucioneve tona, veçanërisht në fushën e arsimit”, tha Presidenti Sejdiu.Në këtë takim, u ritheksua edhe një herë gatishmëria e plotë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ndërsjella në mes dy vendeve.“Kanadaja do të jetë edhe në të ardhmen një partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, ndaj unë kam nderin e veçantë të jem përfaqësuesi i vendit tim në Kosovë”, pohoi Ambasadori Marr. 

This site is registered on wpml.org as a development site.