DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu priti ambasadorin e Francës, z. Jean François Fitou

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot në një takim z. Jean François Fitou, ambasador i ri i Republikës së Francës në vendin tonë, i cilii dorëzoi letrat kredenciale.

Presidenti Sejdiu vlerësoi lart kontributin e dhënë nga ana e popullit francez dhe qeverisë franceze, edhe në procesin e para pavarësimit të Kosovës, por edhe pas pavarësimit. “Në emër të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës, u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kemi pasur nga qytetarët dhe qeveria e Francës. Mbështetja dhe përkrahja juaj, në momentet para pavarësimit të vendit, por edhe pas procesit të pavarësimit, ka qenë edhe mbështetje shpirtërore”, tha Presidenti Sejdiu.“Edhe përkrahja e tanishme që ofron Franca për Kosovën është  jashtëzakonisht e nevojshme, duke pasur parasysh faktin që Kosova tashmë ka edhe sfida të tjera para vetes, sidomos procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, vijoi Presidenti Sejdiu. “Synim yni është që ta përmirësojmë jetën e të gjithë qytetarëve pa dallim, me një kujdes më të shtuar për komunitetet pakicë, veçanërisht komunitetit serb, kujdes që është garantuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu. Po ashtu, Presidenti Sejdiu veçoi presionin që po u bën Beogradi zyrtar qytetarëve serbë të Kosovës, duke e penguar integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.Po ashtu, edhe ambasadori Jean François Fitou theksoi se do të angazhohet edhe më tej për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Ai shprehu zotimet e Qeverisë së Francës për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në proceset e mëdha që ka para vetes, si procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Në këtë takim, gjithashtu u bisedua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të të dyja vendeve në arsim, shkencë dhe kulturë, ndërsa bashkëbiseduesit u pajtuan se ende ka hapësirë që të bëhet më shumë punë në këto fusha. 

This site is registered on wpml.org as a development site.