Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dërgoi një telegram Presidentit të Pakistanit, Asif Ali Zardari, të cilit i shprehu ngushëllimet për 152 viktimat e rrëzimit të një aeroplani udhëtarësh në malet e këtij vendi.
Më poshtë po e japim tekstin e këtij telegrami:
Shkëlqesisë së Tij, Asif Ali Zardari,
President i Pakistanit
I dashur President Zardari,
Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për shuarjen e jetës së mbi 150 bashkëqytetarëve Tuaj, të cilët pësuan në aksidentin e sotëm pas rrëzimit tragjik të një aeroplani komercial.
Lajmi për këtë ngjarje të kobshme është përjetuar me pikëllim të madh kudo në vendin tim, ndaj dua t’ju siguroj për solidaritetin e plotë të popullit dhe të institucioneve të Republikës të Kosovës me popullin pakistanez dhe me të gjitha familjet e goditura nga kjo fatkeqësi e tmerrshme.
Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe familjet e tyre!
Me respekt,
Dr. Fatmir Sejdiu
President i Republikës së Kosovës
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN