Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u ka dërguar telegrame ngushëllimi familjes Gjerqeku dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Rexhep Ismajlit, me rastin e vdekjes së poetit Enver Gjerqeku, anëtar i rregullt i kësaj akademie.
Në këto telegrame, Presidenti Sejdiu ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për ndarjen nga jeta të bashkëfamiljarit të familjes Gjerqeku, poetit tonë të mirënjohur, akademik Enver Gjerqeku.
“Lajmin e hidhur për vdekjen e tij e morëm me pikëllim të thellë, por jemi të bindur se jeta dhe vepra e Enver Gjerqekut do të kujtohen me pietet nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa shëmbëlltyra e tij do të mbetet model për brezat e ardhshëm të vendit.
Krijuesi Enver Gjerqeku u dallua si studiues, përkthyes dhe historian i letërsisë. Veprat e tij me poezi janë një pasuri më vete e artit tonë letrar dhe e kulturës sonë në përgjithësi, kurse çmimet e shumta me të cilat është nderuar një dëshmi e vlerave të përbotshme të kësaj vepre.
Vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe për tërë vendin.
Shpirtërisht jemi me Ju dhe bashkëndjejmë dhembjen Tuaj.
Zoti e bekoftë Enver Gjerqekun!”, – thuhet në telegramin e Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu.